Erdoğan: Sjellja e Greqisë ndaj emigrantëve arrin nivelin e brutalitetit.     Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ishte mjaft kritik ndaj qasjes armiqësore të Greqisë në raport me emigrantët.

"Qëndrimi i fqinjit tonë perëndimor, Greqisë, ndaj emigrantëve tani ka arritur në nivelin e brutalitetit", kështu u shpreh Erdoğan në fjalimin e tij të Kongresit të Hapjes së Konferencës së Drejtësisë Kushtetuese të Botës Islame që u mbajt në Pallatin Dolmabahçe të Istanbulit.

Siç thotë lideri turk Erdoğan në vazhdim, fatkeqësisht, vendet perëndimore nuk po i përgjigjen “këtij brutaliteti të Greqisë”.

Duke fajësuar Perëndimin se nuk është mjaft i ndjeshëm për këtë çështje, Erdoğan tha se vendet perëndimore dhe disa institucione që mbyllin dyert e tyre për migrantët tregojnë "nivele të larta tolerance ndaj grupeve terroriste PKK dhe FETO".

“Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja”, tha Erdoğan.

Poashtu Erdoğan kujtoi se Organizata Terroriste Fetullah (FETO) orkestroi grushtin e shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016 në Türkiye, ku 251 persona u vranë dhe 2734 u plagosën.

Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Prandaj, Erdoğan paralajmëron se vitin e ardhshëm do të përkushtohen për sjelljen e reformave në vend sa i përket sistemit shtetëror.

"Në vitin e ardhshëm ne duam të sjellim reforma të reja në vendin tonë që do të forcojnë legjislativin e gjyqësorin si dhe do ta bëjnë ekzekutivin më efikas", përfundoi Erdoğan.

TRT Balkan / agjencitë