Fidan për sulmin e 1 tetorit në Ankara: Terroristët erdhën nga Siria. / Photo: TRT World

Ministri i jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se dy terroristët, autorë të sulmit terrorist në Ankara, erdhën nga Siria, duke shtuar se "që tani e tutje, e gjithë infrastruktura, objektet superstrukturore dhe objektet energjetike që i përkasin PKK/YPG-së kryesisht në Irak dhe Siri, janë objektiv legjitim i forcave tona të sigurisë, forcave tona të armatosura dhe elementëve tanë të inteligjencës", raporton Anadolu.

Pas një takimi në Ministrinë e Jashtme, Fidan zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV).

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me sulmin terroristë në Ankara, Fidan tha se si rezultat i punimeve të kryera nga forcat e inteligjencës dhe sigurisë, është bërë e qartë se dy terroristët kanë ardhur nga Siria dhe janë trajnuar në Siri.

"Që tani e tutje, e gjithë infrastruktura, objektet superstrukturore dhe objektet energjetike që i përkasin PKK/YPG-së kryesisht në Irak dhe Siri, janë objektiv legjitim i forcave tona të sigurisë, forcave tona të armatosura dhe elementëve tanë të inteligjencës. Palëve të treta u rekomandoj të qëndrojnë larg nga objektet dhe individët e PKK/YPG-së", deklaroi Fidan.

Përgjigjja e Forcave të Armatosura Turke ndaj sulmit terrorist në Ankara "do të jetë jashtëzakonisht e qartë", shtoi Fidan, duke theksuar se terroristët "do të pendohen edhe një herë për kryerjen e një veprimi të tillë. Këtë mund ta them që tani".


TRT Balkan / agjencitë