Diaspora turke në rajon prej sot e deri më 7 maj do të votojë në zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Do të vendosin për presidentin e ardhshëm të Türkiyes dhe për deputetët që do t’i përfaqësojnë në Parlament gjatë katër viteve të ardhshme.
Do të hapen më shumë vendvotime si në ambasadën turke në Shkup, ambasadën në Prishtinë dhe kryekonsullatën në Prizren, në ambasadën në Tiranë, në ambasadën në Sarajevë dhe kryekonsullatat në Banja Llukë dhe Mostar, në ambasadën në Podgoricë si dhe në ambasadën në Beograd dhe kryekonsullatën në Novi Pazar.
Datat e votimit në shtetet e Ballkanit
Votuesit turq në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë do të mund të votojnë në misionet diplomatike turke nga 5 deri më 7 maj.
Votuesit në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi do të hedhin votën nga data 6 deri më 7 maj.
Mbrojtja e votës
Avionë të Turkish Airlines do të transportojnë votat e diasporës deri në Ankara, deri në ditën e zgjedhjeve në territor të Türkiyes, më 14 maj.
Korrierët diplomatikë dhe komisionet e transportit shoqërojnë votat ndërsa ato do të sillen në Këshillin Zgjedhor për Diasporë në Ankara nën mbikëqyrjen e policëve. Partitë politike me përfaqësues në Bordin Zgjedhor
Përfaqësuesit e partive politike që konkurrojnë në zgjedhje do të mund të vëzhgojnë gjithashtu në të gjitha fazat e procesit të votimit. Fletët e votimit do të ruhen në ambientet e Këshillit Zgjedhor deri në ditën e zgjedhjeve.
Të gjitha fletëvotimet jashtë shtetit do të hapen njëkohësisht me ato të brendshme pasi të përfundojë procesi i votimit në Türkiye.
Rreth 6,5 milionë turq jetojnë në vende të tjera. Prej tyre, 3,28 milionë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.
Krahasuar me 60,9 milionë votues të regjistruar brenda Türkiyes, vota e diasporës mund të duket të jetë e vogël. Por, në një garë të ngushtë ku çdo votë ka rëndësi, vula e miratimit të tyre mund të ketë një ndikim vendimtar, siç u pa në zgjedhjet e vitit 2018 që rezultuan në fitoren e Erdoğanit.