Samiti III i Diasporës në Tiranë: Diaspora, simbol i qëndrueshmërisë.     /Foto: AA

Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë sot në Tiranë u mbajt samiti i tretë i Diasporës Shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se, përtej simbolikës që ka, ky takim dyditor vjen edhe me vetëdijen e plotë për shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve ose përkatësive politike përtej të gjitha përkatësive krahinore edhe vendndodhjes së secilit si shqiptar, që kanë diçka për të thënë e për të dhënë për mënyrën se si duhet të qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe objektivave të përbashkëta”, theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

📍Pallati i Kongreseve – Edicioni i tretë i Samitit të Diasporës, me të ftuarit e nderit nga krejt trojet shqiptare🇦🇱

Posted by Edi Rama on Thursday, November 23, 2023

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, në fjalën e tij përshëdetëse, tha se diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. "Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Sot qindra mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi", tha Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se “diaspora shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë dhe vlerë e kontributit të çmuar në ekonomi dhe çdo fushë të jetës”.

“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, të mos harrojmë se vëllezërit tonë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc ende po përballen me diskriminim etnik dhe përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Sot ju them nga këtu: ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju për mbrojtjen e të drejtave tuaja. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohës sfiduese ata ishin përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare”, deklaroi Osmani.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, tha se Europa nuk mund të ketë paqe, stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor.

Ish-kryeministri i Malit të zi, Dritan Abazoviq, deklaroi se Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë një vizibilitet dhe respekt ndërkombëtar që kurrë s’do ta kishim menduar më parë.

“Në Malin e Zi, ka ndodhur diçka, çka para tri viteve askush s’e mendonte. Kjo s’ka të bëjë me mua, ose vetëm me shqiptarët, por dhe me pakicat e tjera. Në krye të vendit ka ardhur dikush nga komunitetet e pakicës në Malin e Zi. Dhe këtë e them për sfidën që shqiptarët do të kenë të ardhmen. Sfida e parë është me vetveten. Mendoj se jemi shumë afër ta mundim këtë sfidë dhe më pas çdo sfidë e jona më tej, do të jetë më e lehtë. Ne kemi treguar se kur kemi vetëbesim, bëjmë mrekulli”, u shpreh Abazoviq.

Në ceremoninë e hapjes së samitit të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, si dhe zyrtarë të tjerë.

Samiti i tretë i Diasporës që po mbahet këto ditë në Tiranë përbëhet nga disa panele diskutimi dhe ka në fokus nismat që do të mundësojnë rigjallërimin e bashkëpunimit mes vendit amë dhe qytetarëve që jetojnë në diasporë.

TRT Balkan / agjencitë