AKB: Mërgata kosovare shpenzoi mesatarisht rreth 2.750 euro për person. / Photo: AA

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur konferencë për media me temën: "Kontributi ekonomik i Diasporës Kosovare Vera 2023".

Nëpërmjet kësaj konference u prezantuan disa të dhëna nga studimi hulumtues i bërë nga AKB-ja rreth efektit ekonomik të diasporës për periudhën 15 qershor -15 shtator 2023. Drejtori i AKB-së, Agim Shahini, tha se në Kosovë ishin mbi 250 mijë bashkatdhetarë që së paku erdhën një herë në Kosovë gjatë pushimeve të vitit 2023, ndërsa numri i atyre që erdhën për kohë më të shkurtër ishte rreth 1 milion.

Shahini tha se përqindja më e madhe e diasporës kanë ardhur nga Gjermania me 32 për qind, dhe Zvicra me 25 për qind, ndërsa Britania e Madhe, Sllovenia, Italia, e të tjera, në përqindje më të vogël.

"Në pyetjen se sa para i keni sjellë gjatë pushimit dhe se sa do të qëndroni në Kosovë, mërgimtarët janë përgjigjur se do të qëndrojnë me një mesatare prej dy javësh. Ndërsa 55 për qind e tyre kanë thënë se do të shpenzojnë gjatë pushimit 1 mijë deri 3 mijë euro; 35 për qind e tyre kanë thënë se do të shpenzojnë 3 mijë deri 5 mijë euro dhe 10 për qind nga ta kanë thënë se do të shpenzojnë mbi 5 mijë euro", theksoi Shahini.

Ai tha se sipas këtyre të dhënave, rreth 90 për qind e diasporës kosovare shpenzuan rreth 2.750 euro mesatarisht gjatë pushimit në Kosovë.

"Diaspora kosovare nga ky hulumtim del se i sjell 750 milionë euro para kesh në Kosovë dhe ky është infuzioni më i madh i dhënë ekonomisë së vendit, sepse u rrit ekonomia, konsumi, blerje-shitjet dhe qarkullimi i parasë dhe këtë e ka ndier secili tregtar, secila pikë e shitjes dhe secili operator ekonomik", shtoi Shahini.

Sipas tij, këto para më së shumti shkuan në pushime, dasma dhe ahengje, blerje të patundshmërive dhe renovim të shtëpive.

AKB-ja vlerëson se diaspora kosovare mbetet fuqia e vetme dhe konstante e cila në forma të ndryshme i ka dërgesat në Kosovë dhe bën shpenzime të mëdha në forma të ndryshme.

TRT Balkan / agjencitë