Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim homologun e saj turk, Hakan Fidan.
Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë, ministrja kosovare, në konferencën për media pas takimit tha se Türkiye është vend mik dhe partner i rëndësishëm për Kosovën.
Ministrja Gërvalla theksoi se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Türkiyes janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe bashkëpunim të ngushtë.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Gërvalla tha se bashkëpunimi midis Kosovës dhe Türkiyes është i një rëndësie të veçantë.
"Investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar dukshëm infrastrukturën.
Marrëdhëniet tona ekonomike janë të forta dhe të ndërsjella dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për thellimin e tyre", tha Gërvalla.
Ajo foli edhe për lidhjen midis dy popujve, ku theksoi se komuniteti shqiptar në Türkiye si dhe komuniteti turk në Kosovë janë "ura" midis dy vendeve.
Pjesë e diskutimeve me ministrin Fidan, Gërvalla tha se ishin edhe çështjet e sigurisë në rajon, në një kohë kur rajoni përballet me sfida të mëdha "veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës".
"Roli i Türkiyes dhe i NATO-s është i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin tonë. Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë, si një garanci për mbrojtjen e paqes në rajon.
Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal", theksoi Gërvalla.
Në ditën kur në pikat kufitare të Serbisë me Kosovën është paralajmëruar bllokim i qarkullimit, Gërvalla tha se këto janë "dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë, të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale".
Ministrja kosovare falënderoi Republikën e Türkiyes për mbështetjen e saj të pandërprerë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, derisa nënvizoi edhe rolin e veçantë të delegacionit turk në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gërvalla në fund tha se Kosova dhe Türkiye do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, për të siguruar paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë qytetarët.