Istanbul: Arrestohen të dyshuarit për sulmin në kishë.     /Foto: AA

Forcat turke të sigurisë kanë arrestuar të dyshuarit për sulmin me të shtëna në një kishë katolike në Istanbul që la të vdekur një person, deklaroi të dielën ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.

"Dy të dyshuarit për sulmin që shkaktuan vdekjen e shtetasit tonë Tuncer Cihan gjatë meshës të së dielës në kishën Sariyer Santa Maria janë kapur", u tha Yerlikaya gazetarëve.

"Përgëzoj policinë tonë të Istanbulit dhe oficerët heroikë të policisë që identifikuan dhe kapën autorët. I shpreh edhe një herë ngushëllimet familjes dhe të afërmve të shtetasit tonë që humbi jetën. Të dy të dyshuarit janë me shtetësi të huaj. Ne vlerësojmë se të dyshuarit, njëri nga Taxhikistani dhe tjetri rus, janë të lidhur me grupin terrorist DEASh", shtoi ai.

Gjatë 28 janarit, forcat turke të sigurisë kryen bastisje në 30 adresa, duke rezultuar në kapjen e 47 të dyshuarve deri më tani, tha më tej Yerlikaya para gazetarëve. Dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj të pranishmëve në kishën Santa Maria në Istanbul, duke vrarë një person, thanë zyrtarët më herët.

Duke dënuar "sulmin e tmerrshëm", guvernatori i Istanbulit Davut Gul u tha gazetarëve se viktima e sulmit ishte 52-vjeç dhe se askush nuk u plagos.

"Hetime në shkallë të gjerë" janë duke u zhvilluar për të kapur të dyshuarit", tha Yerlikaya në X, duke shtuar: "Dënojmë fuqishëm këtë sulm qyqar". ​Motivi i sulmit nuk dihet.

Yerlikaya u tha gazetarëve se policia po punonte shumë për të zbardhur krimin. Duke vënë në dukje se ka shumë vende kulti në Istanbul dhe se adhurimi kryhet lirisht në secilin prej tyre në një mjedis të qetë dhe të sigurt, ai tha se të gjitha komunitetet fetare të Türkiyes e vlerësojnë këtë mjedis të sigurt.

"Ata që përpiqen të prishin unitetin dhe solidaritetin e kombit tonë nuk do të kenë kurrë sukses. Dua ta nënvizoj veçanërisht këtë", tha ai.

"Ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë nuk do t'i arrijnë kurrë qëllimet e tyre", tha gjithashtu zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) të Türkiyes, Omer Çelik, në një deklaratë të shkurtër në X.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan përcolli ngushëllimet dhe uroi për shërim sa më të shpejtë të besimtarëve nga sulmi, duke shtuar se po ndërmerren hapat e nevojshëm për kapjen sa më të shpejtë të autorëve.

Drejtori i Komunikimeve Fahrettin Altun në një postim në X tha se Erdoğan foli në telefon me At Anton Bulai, i cili shërben në kishë, si dhe me guvernatorin e distriktit Sariyer, Omer Kalayli dhe Witold Lesniak, konsull i përgjithshëm i Polonisë në Istanbul, i cili thuhet se ishte në kishë në kohën e ndodhisë.

TRT Balkan / agjencitë