Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që ishin pjesë e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Türkiye, shprehen krenarë me mundësinë që patën t'u vinin në ndihmë të prekurve nga tërmeti.
Në një intervistë për Anadolun, infermierja e regjimentit të mjekësisë në FSK, Rrezarta Mulolli, dhe komandanti i kontingjentit, Egzon Syla, të cilët shkuan në Türkiye nga 6 shkurti, thanë se janë kthyer me ndjenjë të krenarisë së madhe.
Infermierja Mulolli tha se fillimisht kur kanë shkuar në Türkiye nuk i kanë menduar në asnjë moment rreziqet me të cilat mund të hasen, ndërsa janë kthyer me një ndjenjë të krenarisë së madhe që kanë mundur të ndihmojnë, por edhe me ndjenjë të dhembshurisë shumë të madhe për viktimat dhe gjithë të lënduarit, të zhdukurit dhe shkatërrimit urban nga tërmeti.
Mulolli thotë se ekipi mjekësor i FSK-së u ka ndihmuar të lënduarve nga tërmeti, të mbijetuarve të nxjerrë nga rrënojat, por kanë qenë edhe mbështetës për pjesëtarët e FSK-së derisa thekson se nuk beson që ndonjëherë në jetën e saj do t'i jepet rasti të ndiejë krenari më të madhe sesa momentet e shpëtimit të jetëve të njerëzve në Türkiye.
"Kur është nxjerrë sidomos vajza dyvjeçare, sepse duke marrë parasysh një krijesë aq e vogël t'i mbijetojë rrënimit të një ndërtese pesëkatëshe, mbi trupin e saj të jenë pesë kate të një ndërtese dhe të shpëtojë në atë mënyrë se si ka shpëtuar, ka qenë ndjenja më e mirë edhe mënyra se si ajo na ka shikuar të gjithë pjesëtarëve me radhë. Thjesht është ndjenjë e krenarisë, ndjenjë me emocione të papërshkrueshme që nuk mund ta përshkruash me asnjë fjalë. Në ato momente jam ndier se nuk mund të ketë njeri më të fortë se unë, sepse ma ka dhënë forcën shikimi i asaj vajze dhe kam thënë se do të vazhdoj gjithsesi sa më shumë që është e mundshme", thotë Mulolli për AA-në.
Mëshira e nënës
Syla, komandanti i kontigjentit të FSK-së që qëndroi në Türkiye, nga ana e tij, tha se kur kanë shkuar në Hatay gjendja ka qenë mjaft e vështirë me qytetin e shkatërruar dhe me ndërtesa pa siguri.
Syla tha se me mjetet e specializuara të kërkim-shpëtimit fillimisht kanë marrë sinjale të zërit të personave të gjallë nën rrënoja dhe kanë vënë re se është një zë gruaje dhe një zë fëmije, ndërsa më vonë kanë zbuluar se është një nënë me vazjën e saj dyvjeçare në duar.
"Pas një pune rreth 10 orësh kemi arritur që së pari të nxjerrim vajzën, e cila ka qenë edhe kërkesa e nënës e cila na ka thënë që ta nxjerrim së pari vajzën ngase nuk e mendonte veten, por pasi kemi arritur ta nxjerrim të gjallë vajzën sigurisht pastaj kemi vazhduar dhe e kemi nxjerrë edhe nënën e vajzës. Ka qenë një moment i papërshkrueshëm dhe ndjenjë e veçantë", thotë Syla, i cili bën të ditur se rreth dy-tri orë pas nxjerrjes së vajzës arritën ta nxjerrin edhe nënën nga rrënojat.
Pas këtij rasti, Syla thotë se kanë arritur të nxjerrin edhe një burrë të moshës rreth 50-vjeç dhe një vajzë 13-vjeçare.
Syla, i cili ka përfunduar Akademinë Tokësore në Türkiye, tha se ka marrë edhe trajnime të tjera në Türkiye dhe njohja e gjuhës turke i ka ndihmuar në koordinimin me autoritetet turke në operacionin e kërkim-shpëtimit. Ai vlerëson lart bashkëpunimin me autoritetet turke për të cilat thotë se "gjithmonë na kanë qëndruar afër për kërkesat tona".
Syla tha për AA-në se ekipi i FSK-së ka qenë i kompletuar me një vullnet shumë të madh, ku pasi kanë arritur të nxjerrin disa njerëz të gjallë nga rrënojat u është rritur vullneti edhe më shumë.
Kontingjenti prej 39 pjesëtarëve të FSK-së u kthyen në Prishtinë mbrëmjen e 20 shkurtit. Ata u shpërblyen të martën nga presidentja Vjosa Osmani me Medaljen Presidenciale Ushtarake për sakrificën dhe solidaritetin e tyre të treguar në procesin e kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Türkiye.
Një pjesë e kontingjentit të FSK-së e përbërë nga specialist në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësiti K9 ishte nisur me autorizimin e presidentes Osmani për në Hatay mbrëmjen e 6 shkurtit, ndërkaq më 10 shkurt ishte nisur edhe një ekip tjetër i FSK-së i përbërë nga oficerë dhe nënoficerë për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën e operacionit.