Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan priti dje në takim liderët dhe ministrat vendeve të huaja të pranishëm në provincën turke Konya për ceremoninë e hapjes së Lojërave të 5-ta të Solidaritetit Islam.
"Me rastin e Lojërave të 5-ta të Solidaritetit Islam, ju uroj mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve nga anët e ndryshme të botës islame që vizitojnë vendin tonë dhe i uroj suksese secilit prej sportistëve tanë. I ftoj të gjithë sportdashësit, veçanërisht të rinjtë tanë, në këtë ngjarje të bukur në Konya", shkroi Erdoğan në Twitter.
Ndryshe, Erdoğan i shpalli të hapura lojërat, të cilat do të vazhdojnë deri më 18 gusht me pjesëmarrjen e më shumë se 4 mijë sportistëve nga 56 vende të Organizatës së Bashkëpunimit Islam.
Bashkë me presidentin Erdoğan në ceremoninë e hapjes ishin prezent edhe homologët e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev dhe Republikës Turke të Qipros Veriore, Ersin Tatar, kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin palestinez Mohammed Shtayyeh, kryeministrin algjerian Ayman Benabderrahmane dhe ministrin e sportit të Arabisë Saudite, Princ Abdulaziz bin Turki Al-Faisal Al Saud, i cili po ashtu shërben si president i Federatës së Sporteve të Solidaritetit Islam.
Në margjinat e ngjarjes, presidenti turk zhvilloi takime të veçanta me Aliyevin, Al-Faisalin, Benabderrahmanen dhe Shtayyehun. Këto takime u zhvilluan me dyer të mbyllura.