Kreu i komunikimeve në Presidencën e Türkiyes, Fahrettin Altun, tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan vazhdon të pranojë mesazhe urimi nga liderët botërorë pas rizgjedhjes.
"Presidenti ka pranuar telefonata urimesh nga 19 vende deri më tani. Për më tepër, më shumë se 100 liderë dhe organizata ndërkombëtare kanë uruar rizgjedhjen e presidentit me mesazhe të shkruara", u shpreh Altun në Twitter.
Më 28 maj, në Türkiye u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale pasi asnjë kandidat nuk mori 50 për qind të votave në raundin e parë të mbajtur më 14 maj.
Sipas rezultateve jozyrtare, Erdoğan fitoi garën me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu mori 47,86 për qind.
"Presidenti do të vazhdojë të përdorë mundësitë e diplomacisë udhëheqëse për të përmirësuar marrëdhëniet tona dypalëshe, për të zgjidhur çështjet rajonale dhe globale dhe për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin edhe në epokën e re", tha Altun.