Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u takua me kandidatin presidencial të Aleancës ATA, Sinan Oğan.
Takimi u mbajt në Pallatin Dolmabahçe në Istanbul dhe zgjati rreth një orë.
Miliona votues shfrytëzuan të drejtën e votës në zgjedhjet e së dielës për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të vendit dhe deputetët e parlamentit prej 600 vendesh.
Kreu i Këshillit të Lartë Zgjedhor, Ahmet Yener, tha se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte 88,92 për qind, ndërsa pjesëmarrja e shtetasve turq jashtë vendit ishte 52,69 për qind.
Në raundin e parë, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave, ndërsa presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan u radhit i pari.
Erdoğan, kandidat i përbashkët i Aleancës së Popullit, si dhe kandidati i cili u radhit i dyti, Kemal Kılıçdaroğlu, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 28 maj.
Kılıçdaroğlu, kryetar i Partisë Republikane Popullore (CHP) në opozitë, ishte kandidat i përbashkët i Aleancës së Kombit të përbërë nga gjashtë parti politike.
Erdoğan radhitet i pari duke fituar 49,52 për qind të votave, ndërsa Kılıçdaroğlu fitoi 44,88 për qind të votave.
Sinan Oğan nga Aleanca ATA mori 5,17 për qind, ndërsa Muharrem Ince, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në fund të javës së kaluar pasi fletëvotimet ishin shtypur, mori 0,43 për qind.
Meqenëse asnjë kandidat nuk ishte në gjendje të fitonte një shumicë të plotë në votimin e së dielës, balotazhi i raundit të dytë do të mbahet më 28 maj.