Kryeparlamentari turk Şentop ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, ku u takua me homologun e tij suedez Andreas Norlen dhe nënkryetarin e parlamentit finlandez Antti Rinne.     Foto:  Mustafa Şentop/Facebook 

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiye-s (TBMM), Mustafa Şentop, tha se vendi i tij pret që Finlanda dhe Suedia të parandalojnë grupet terroriste YPG/PYD dhe FETO që të veprojnë lirisht në tokën e tyre.

Kryeparlamentari turk Şentop ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, ku u takua me homologun e tij suedez Andreas Norlen dhe nënkryetarin e parlamentit finlandez Antti Rinne.

Duke vlerësuar angazhimin e vendosur të Finlandës ndaj memorandumit trepalësh të mirëkuptimit që u nënshkrua në samitin e NATO-s në qershor në Madrid, i cili përcakton se Finlanda dhe Suedia nuk do të ofrojnë mbështetje për YPG/PYD, degën siriane të grupit terrorist PKK, ose organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të 2016-ës në Türkiye, Şentop shprehu gjithashtu vlerësimin për premtimin e qeverisë së re suedeze se do të ndiqte një politikë të ngjashme.

Duke nënvizuar se Türkiye ka luftuar kundër PKK-së terroriste për katër dekada, ai tha se vendi i tij nuk kishte marrë mbështetje të mjaftueshme në këtë drejtim nga aleatët e saj të NATO-s.

Şentop tha se në parim, Türkiye mbështet synimin e anëtarësimit në NATO të Finlandës dhe Suedisë, por parlamenti turk do të marrë përfundimisht vendimin pasi të shqyrtojë nëse të dy vendet i kanë përmbushur detyrimet e tyre në përputhje me memorandumin.

"Në situatën aktuale, nuk është e mundur të bindet publiku turk se klauzolat e memorandumit po zbatohen," paralajmëroi ai.

Şentop zhvilloi gjithashtu një takim më vete me homologun e tij ukrainas Ruslan Stefanchuk.

Ai përsëriti mbështetjen e fortë të Ankarasë për integritetin territorial të Ukrainës në mes të luftës së saj me Rusinë.

Şentop shtoi se Türkiye shpreson për një fund të menjëhershëm të luftës përmes mjeteve paqësore që do të garantonin të drejtat dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t'u anëtarësuar në NATO në qershor, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime ndaj synimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh mirëkuptimi në samitin e NATO-s në qershor në Madrid, i cili përcakton se Finlanda dhe Suedia nuk do të ofrojnë mbështetje për grupet YPG/PYD ose FETO.

PKK është e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, BE dhe SHBA dhe është përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG/PYD, e cila gjithashtu ka një prani në Evropë, është e sanksionuar hapur nga disa qeveri.

Vendet nordike ranë dakord gjithashtu të trajtojnë kërkesat e Ankarasë për dëbim ose ekstradim të të dyshuarve për terrorizëm.

Parlamenti i Türkiye-s duhet të ratifikojë miratimin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO.

AA