Ömer Faruk Tanrıverdi, në cilësinë e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të TRT-së, Transmetimet Ndërkombëtare, bëri thirrje për bashkëpunim në industri në Forumin Global të Lajmeve në Malajzi dhe ndau njohuri për të nxjerrë në pah fazën e re të industrisë së medias. TRT-ja është e angazhuar në “gazetarinë me në qendër njeriun” me një mision për të “krijuar një media më të drejtë ku tregohen histori të pathëna dhe të panjohura për botën”, tha Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i TRT-së, Transmetimet Ndërkombëtare, Ömer Faruk Tanrıverdi.
Ai foli në Forumin Global të Lajmeve të këtij viti, të mbajtur në Kuching, Malajzi, më 10-12 korrik me temën “IA-ja, ndryshimi kryesor dhe frymëzimi i një të ardhmeje më të gjelbër”.
Profesionistët e medias nga e gjithë bota morën pjesë në një takim për të diskutuar dhe debatuar disa nga çështjet më të rëndësishme për redaksitë në vitin 2023 dhe sfidat më të mëdha me të cilat po përballet planeti.
Drejtuesit globalë të lajmeve ndanë gjithashtu perspektivat e tyre dhe dhanë vëzhgime të vlefshme në lidhje me të ardhmen e inteligjencës artificiale në organizatat e lajmeve. Ata diskutuan faktorët thelbësorë për nxitjen e ndryshimit, duke përfshirë rëndësinë e krijimit të përmbajtjes tërheqëse që i motivon njerëzit të ndërmarrin veprime.
Tanriverdi tha se TRT-ja do të presë takimin e Asamblesë së Përgjithshme të ABU-së 2024 në Istanbul vitin e ardhshëm.
Koha për digjitalizim
Tanriverdi shtroi pyetje në lidhje me transformimet e fundit që dëshmoi industria e medias.
“Industria e medias, në veçanti, ka pësuar një evolucion të thellë, duke paraqitur sfida dhe mundësi", tha Tanrıverdi.
Ai theksoi rritjen e digjitalizimit në industri dhe mundësitë e mëdha që paraqet inteligjenca artificiale (IA) në përmirësimin e krijimit, shpërndarjes dhe angazhimit të përmbajtjes, ndërkohë që pranoi rreziqet shoqëruese.
Po ashtu, ai deklaroi se është thelbësore të vazhdohet me rrugën e ndryshimit të peizazhit mediatik. “Ndryshimi duhet të bazohet në tri parime: Digjitalizimi (i cili përdor teknologjinë e lartë), efikasiteti dhe bashkëpunimi.”
Duke përshkruar transformimin e transmetimeve ndërkombëtare të TRT-së bazuar në këto parime që nga viti i kaluar, Tanriverdi njoftoi audiencën duke paraqitur të dhëna bindëse për të demonstruar suksesin e jashtëzakonshëm të fazës së shpejtë të digjitalizimit të TRT-së në vitet e fundit.
Duke folur për progresin që ka bërë TRT-ja brenda një viti nga prilli 2022 deri në mars 2023, Tanriverdi tha se rrjeti ka nisur tri kanale digjitale në tetë gjuhë të ndryshme, duke përfshirë TRT Africa, TRT Français dhe TRT Balkan.
Në vitin 2023, TRT Africa filloi të nxjerrë në pah histori nga kontinenti në një audiencë globale në katër gjuhë: suahili, anglisht, hausa dhe frëngjisht. TRT Francais është e përkushtuar vetëm për të ushqyer audiencën e saj frëngjishtfolëse.
TRT Balkan, i nisur për të synuar mbi 30 milionë njerëz nga rajoni dhe diaspora ballkanike, ofron një gamë të gjerë përmbajtjesh në gjuhë të shumta, duke përfshirë shqipen, BHS (boshnjakishten, kroatishten, serbishten) dhe maqedonishten.
Sipas të dhënave që ndau Tanrıverdi, llogaritë e kanaleve digjitale ndërkombëtare të TRT TikTok morën më shumë se 246 milionë shikime vitin e kaluar, ndërsa ato morën më shumë se 131 milionë shikime në gjysmën e parë të vitit 2023.
Këto kanale digjitale arritën gjithashtu më shumë se 390 milionë njerëz në Facebook dhe patën më shumë se 330 milionë shikime në YouTube vitin e kaluar.
TRT-ja sipas Tanrıverdit përdori të dhënat e digjitalizimit për të ndërtuar një strategji më të mirë të shpërndarjes me shumë platforma për të arritur njerëzit atje ku janë.
Ai prezantoi gjithashtu planet e TRT-së për krijimin e Metaverse dhe platformën digjitale të sapolançuar Video on Demand (VoD) Tabii dhe njoftoi se transmetimet ndërkombëtare të TRT-së do të fillojnë shumë shpejt të transmetojnë podkaste në 41 gjuhë dhe dialekte.
Thirrje për bashkëpunim
Si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i TRT-së, i cili është përgjegjës për transmetimet ndërkombëtare, një strukturë me një staf prej 2.500 personash që punon për të operuar dy kanale televizive, shtatë kanale digjitale dhe 41 stacione radiofonike, Tanriverdi nënvizoi rëndësinë e punës së mirëkonsoliduar ekipore për arritjen e qëllimeve.
Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të industrisë që të krijojnë aleanca, të angazhohen me aktorë të tjerë dhe të përqafojnë partneritete që përfitojnë nga pikat e tyre të forta të kombinuara.