Trump iu dorëzua autoriteteve amerikane për t’u përballur me akuzat / Photo: AA

Donald Trump, ish-presidenti i ShBA-së dhe kandidati kryesor për nominimin republikan për vitin 2024, u deklarua i pafajshëm të martën për 34 akuza për falsifikimin e librave të biznesit për paratë që ai dyshohet se i kishte paguar një aktoreje të filmave për të rritur.

I veshur me një kostum të kaltër dhe kravatë të kuqe, Trump, 76 vjeç, tregoi pak emocione teksa përshëndeti turmën e mbledhur jashtë gjykatës.

Trump iu dorëzua autoriteteve amerikane, duke u bërë lideri i parë amerikan në histori që përballet me ndjekje penale.

Në një spektakël që u dha drejtpërdrejt në televizion – me protestues rivalë të mbledhur jashtë – seanca dëgjimore e së martës shënoi një pikë kthese për sistemin kriminal dhe politik amerikan, me potencialin për t’i dhënë fund garës së vitit 2024 për Shtëpinë e Bardhë, në të cilën Trump është aktualisht kandidati kryesor republikan.

Trump po hetohet për para të fshehta të paguara një aktoreje të filmave për të rritur përpara zgjedhjeve të vitit 2016 që e sollën atë në pushtet.

“Duket kaq surreale, unë do të arrestohem,” postoi Trump në aplikacionin e tij “Truth Social” teksa po shkonte në sallën e gjyqit nga Trump Tower, ku kaloi natën pasi fluturoi nga Florida.

“Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në Amerikë!” Republikani i akuzuar dy herë është presidenti i parë ose ish-presidenti i ShBA-së që është paditur penalisht.

Policia u rreshtua nëpër rrugë ndërsa helikopterët fluturonin në qiell, dhe autokolona e Trumpit bëri një udhëtim të shkurtër drejt gjykatës, një udhëtim që u mbulua drejtpërdrejt në rrjetet televizive amerikane, megjithëse kamerat nuk u lejuan për vetë seancën.

Trump u bëri me dorë mbështetësve pasi la makinën e tij para se të hynte në kompleks nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret të ShBA-së.

TRT Balkan / agjencitë