Vlera në treg e Turkish Airlines arriti 10.26 miliardë dollarë, duke tejkaluar vlerën e kompanisë gjermane Lufthansa, e cila vlerësohet 9.28 miliardë dollarë.
Çmimi për aksion i kompanisë turke, që ishte 1.54 dollarë më 31 dhjetor 2021, u rrit për 592% (në bazë të çmimit në lira turke), duke arritur vlerën prej 7.43 dollarë të hënën.
Nga ana tjetër, çmimi për një aksion të Lufthansa-s u ngrit për 25.7% nga fillimi i këtij viti.
Derisa Turkish Airlines tejkaloi shpejt efektet negative financiare të pandemisë së Covid-19 dhe rriti fitimet fuqishëm në vitin 2022 falë lëvizjeve në nivel global, rimëkëmbja pas pandemisë nuk ishte e lehtë për Lufthansa-n.
Deri në tremujorin e tretë të këtij viti, të hyrat e përgjithshme të Turkish Airlines prej 6.1 miliardë dollarësh, tejkaluan të hyrat për periudhën e njëjtë të vitit 2019 për 52%, ndërsa të hyrat për kargon ajrore u rritën për 110% në përafërsisht 880 milionë për periudhën e njëjtë.
Fitimi neto i kompanisë ishte 1.5 miliardë dollarë në tremujorin e tretë.
Përderisa pandemia shkaktoi krizë madhore për industrinë globale të aviacionit, grupi Lufthansa, i cili është gjithashtu pronar i Eurowings, Swiss, Brussels dhe Austrian Airlines, erdhi deri në pikë bankroti.
Qeveria e Zvicrës, e Austrisë dhe e Belgjikës, e sidomos qeveria gjermane, shpëtuan kompaninë nga bankroti me një pako 9 miliardëshe në vitin 2020.
Për shkak të rënies së kërkesës së udhëtarëve gjatë pandemisë, ishte e vështirë për kompanitë e transportit ajror të mbledhin fonde përmes rritjes kapitale.
Me rimëkëmbjen e kërkesës së udhëtarëve, grupi Lufthansa mblodhi 2.14 miliardë euro në tetor 2020 për të kthyer një pjesë të pakos.
Nga ana tjetër, grupi Lufthansa raportoi fitim për herë të parë në pandemi në tremujorin e tretë të vitit 2021, pas rritjes së fluturimeve me heqjen e restriksioneve globale për udhëtim.