Forcat turke të sigurisë “neutralizuan” 942 terroristë që nga 1 janari.     /Foto: AA

Türkiye ka "neutralizuar" gjithsej 942 terroristë të PKK/YPG-së që nga 1 janari, duke përfshirë ata që fshihen përtej kufirit në Irak dhe Sirinë veriore, njofton ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

"Pesëdhjetë terroristë janë neutralizuar javën e fundit, duke përfshirë Irakun dhe Sirinë veriore, me strategjinë e eliminimit të terrorizmit në burimin e tij, të cilën ne e zbatojmë me vendosmëri," u tha gazetarëve një zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare në një konferencë në kryeqytetin Ankara.

Numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar gjatë vitit tani ka arritur në 942, shtoi ai.

Autoritetet turke përdorin termin "neutralizoj" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose u kapën.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen përtej kufirit për të komplotuar sulme terroriste, ndërsa PKK/YPG-ja - dega siriane e grupit - ka kërkuar të krijojë një "korridor terrorist" në zonat kufitare të Sirisë, afër Türkiyes. Türkiye ka nisur disa operacione përtej kufirit, në veri të Sirisë, për të bllokuar planet e grupit terrorist.

Zyrtari i ministrisë tha se "një nga depot më të mëdha" të municioneve që i përkiste grupit terrorist PKK u kap në rajonin e operacionit Claw-Lock në Irakun verior këtë javë dhe u konfiskuan gjithsej 15.400 copë municione kundërajrore.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.

Grupet terroriste vazhdojnë të sulmojnë civilët dhe njësitë ushtarake nga rajone të tjera, veçanërisht në veri të Sirisë, tha zyrtari.

“Që nga 1 janari, janë kryer gjithsej 83 incidente dhe sulme ngacmimi nga grupi terrorist (PKK/YPG) në zonat tona të operacionit dhe numri i terroristëve të neutralizuar ka arritur në 699”, shtoi ai.

Për kalimet ilegale në Türkiye, ai tha se falë masave shtesë efektive, këtë vit 4.468 persona, përfshirë 347 terroristë, të cilët u përpoqën të kalonin ilegalisht kufijtë e Türkiyes, u kapën që nga 1 janari. Gati 132.000 u parandaluan para se të kalonin kufirin.

Türkiye ka qenë një pikë kyç tranziti për migrantët e parregullt që duan të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të reja, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Vendi, i cili tashmë pret 4 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, po merr masa të reja në kufijtë e tij për të parandaluar një fluks të ri emigrantësh.

Zbulohen predha artilerie në brigjet e Detit të Zi

Në lidhje me shpërthimin e kontrolluar të 28 predhave artilerie të gjetura në brigjet e Detit të Zi të Istanbulit, zyrtari tha se aktivitetet e kërkimit nënujor u kryen në një sipërfaqe prej 4.200 metrash katrorë.

“Janë identifikuar gjithsej 28 predha artilerie, të cilat konsiderohen se janë të Luftës së Dytë Botërore.

“11 prej municioneve në fjalë, të cilat mund të hiqen, janë sjellë në Komandën e Grupit të Mbrojtjes Nënujore Turke (SAS), dhe 17 prej tyre janë asgjësuar në vend dje në mënyrë të kontrolluar”, shtoi ai.

Burime të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, të cilët kërkuan të mos përmendet për shkak të kufizimeve për të folur në media, thanë se nuk ka asnjë kërcënim në rajon.

TRT Balkan / agjencitë