Türkiye, 2.400 tonë ndihma humanitare për Sudanin / Photo: AA

Për shkak të krizës së vazhdueshme humanitare në Sudan, shteti turk ka dërguar 2.408 tonë ndihma humanitare të përgatitura nën drejtimin e Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) për t'u dorëzuar në Sudanin e shkatërruar nga lufta.

Ndihmat janë nisur drejt Sudanit nga porti ndërkombëtar i Mersinit që ndodhet në jug të Türkiyes.

2.408 tonë ndihma të përbëra nga ushqime, mjete higjienike, veshje, strehim dhe materiale shëndetësore, të përgatitura nën koordinimin e AFAD-it dhe me mbështetjen e Ministrisë turke të Shëndetësisë, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe organizatat joqeveritare, u ngarkuan në anijen me emrin "Sardes".

"Planifikuam të dërgojmë 160 tonë ilaçe dhe pajisje mjekësore, 128 tonë veshje, 90 tonë materiale higjienike, 44 tonë batanije dhe materiale të ndryshme strehimi të siguruara nga Ministria jonë e Shëndetësisë. Shpresojmë se anija do të arrijë në Sudan rreth datave 19-21 korrik", tha Kreu i AFAD-it, Memiş.

Memiş theksoi se Türkiye nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan u shtrin dorën të gjitha vendeve në nevojë.

"Për shkak të konfliktit të brendshëm dhe thatësirës që kanë vazhduar për një kohë në Sudan, rreth 8 milionë njerëz u detyruan të braktisnin vendin dhe atdheun e tyre. Shpresojmë që ky mjedis konfliktual të përfundojë sa më shpejt. Do të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë sudanezë që janë prekur nga thatësira dhe kanë kërkuar ndihmën tonë", tha kreu i AFAD-it.

Guvernatori i Mersinit Ali Hamza Pehlivan dhe zëvendëskryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ramazan Saygılı, morën gjithashtu pjesë në ceremoni.

AA