Akar: Vazhdon eksporti i grurit nga Deti i Zi, nisen gjashtë anije të tjera.     Foto: AA

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha se numri i përgjithshëm i anijeve që u larguan nga portet e Ukrainës u rrit në 426, ndërsa sasia e drithit të transportuar tejkaloi 9.7 milionë tonë.

Që nga vazhdimi i nismës për eksportimin e drithërave nga portet ukrainase, kanë lundruar gjashtë anije, kështu ka bërë të ditur sot ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar.

“Pas vazhdimit të nismës së grurit, gjashtë anije u larguan nga portet e Ukrainës. Kështu numri i anijeve që largoheshin nga portet u rrit në 426 dhe sasia e drithit të transportuar i kaloi 9.7 milionë tonë”, tha Akar në provincën juglindore turke të Hakkarit.

Akar e konfirmoi këtë informacion një ditë pasi presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se marrëveshja për dërgimin e drithit përmes Detit të Zi po vazhdon.

Rusia njoftoi të shtunën se po pezullonte pjesëmarrjen në një marrëveshje për eksportet e grurit nga portet ukrainase të Detit të Zi.

“Tashmë do të intensifikojmë përpjekjet tona brenda kornizës së vendosur nga presidenti ynë në lidhje me zgjatjen e nismës së grurit, e cila skadon më 19 nëntor”, theksoi Akar.

Ai shtoi se “dëshira më e sinqertë” e Ankarasë është t’i japë fund konfliktit midis Moskës dhe Kievit me mjete dhe metoda paqësore.

Türkiye, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik në Istanbul për të rivendosur eksportet e drithërave të Detit të Zi, të cilat u pezulluan pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në shkurt.

Një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tria vendet dhe OKB-ja u krijua në Istanbul për të mbikëqyrur dërgesat.

AA