Shtatë paramedikë të Autoritetit Shëndetësor Islamik të lidhur me Hezbollahun u vranë në një sulm izraelit në një qendër të mbrojtjes civile në kryeqytetin libanez Bejrut sot, tha shërbimi mjekësor i urgjencës.
Në mesin e viktimave ishin kreu i Shërbimit të Mbrojtjes Civile në Bejrut, Raja Zreik. Sulmi, që ka ndodhur natën vonë, kishte në shënjestër lagjen Zqaq el-Blat të Bejrutit, shtoi shërbimi në një deklaratë.
Ushtria izraelite nisi një valë të re sulmesh ajrore në Bejrut dhe periferinë e saj jugore sot në mes të fushatës së saj masive ajrore në Liban.
Zëdhënësi ushtarak izraelit Avichay Adraee tha se ushtria kreu sulme "të sakta" në Bejrut, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Izraeli ka nisur sulme masive ajrore që nga 23 shtatori ndaj atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.100 viktima dhe plagosur mbi 3.000, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Udhëheqja e lartë e grupit libanez Hezbollah është vrarë në sulmet izraelite, duke përfshirë liderin Hassan Nasrallah.
Ushtria izraelite konfirmoi të mërkurën se tetë ushtarë të saj u vranë në përleshjet tokësore me luftëtarët e Hezbollahut në Libanin jugor.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.700 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.