Aeroportet turke mirëpritën 25,2 milionë pasagjerë në gusht, përfshirë udhëtarët tranzit, duke shënuar një rritje prej 1,9 për qind nga i njëjti muaj i vitit të kaluar, tha ministri i Transportit dhe i Infrastrukturës i Türkiyes, Abdulkadir Uraloglu.
Shifrat, të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Shtetëror të Aeroporteve (DHMI), zbuluan se 9,2 milionë pasagjerë morën fluturime të brendshme, ndërsa afro 16 milionë udhëtuan në linjat ndërkombëtare.
Përveç rritjes së pasagjerëve, aeroportet turke shërbyen 231.699 avionë në gusht, ku përfshihen fluturimet, që përfaqëson një rritje prej 2 për qind krahasuar me një vit më parë.
Rritje të ndjeshme pësoi edhe trafiku ajror i mallrave, duke arritur në 493.183 tonë.
Dy aeroportet kryesore të Istanbulit luajtën një rol vendimtar në këtë rritje, duke trajtuar mbi 45 për qind të totalit të pasagjerëve ajrore të vendit muajin e kaluar. Aeroporti IGA i Istanbulit mirëpriti 7,7 milionë pasagjerë, një rritje prej 1 për qind nga gushti 2022 dhe menaxhoi 46.933 fluturime. Ndërkohë, aeroporti Sabiha Gokcen, i vendosur në anën e Anadollit të Istanbulit, raportoi 3,9 milionë pasagjerë dhe 21.468 fluturime.
Nga fillimi i vitit e deri në muajin gusht, aeroportet e Türkiyes kanë shërbyer përafërsisht 154,9 milionë pasagjerë, duke reflektuar një rritje prej 8,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i përgjithshëm i fluturimeve gjatë këtij harku kohor arriti në 1,5 milion, duke përfshirë edhe mbifluturimet.