Në vitin 2007, futbollistët irakianë Ahmed Naser dhe Ihab Kareem shkuan në tregun e Bagdadit për të blerë këpucë të reja futbolli përpara se të fillonte sezoni i Premier League në Irak. Por, në fund të ditës ndodhi një tragjedi. Ihab ndërroi jetë dhe Ahmedi nuk kishte këmbë.
Një nga bombat e shumta që shkatërroi kryeqytetin Bagdad në vitet e dhunës pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpërtheu atë ditë, në kohë kur të dy shokët u ndalën për të marrë sanduiç. Si pasojë e shpërthimit Ihabi ndërroi jetë menjëherë, ndërsa jeta e Ahmeti u ndryshua përgjithmonë.
"Kur dikush humbet një pjesë të trupit të tij dhe mbyllet në shtëpi, është diçka e re. Që nga momenti i shpërthimit e deri më tani më vjen turp të dal me karrocë", tha Ahmed Naser, i cili po luante për klubin e divizionit të parë irakian Al-Senaa.
Vullneti për jetë
Me lëvizje të kufizuar ende, por asnjëherë duke mos e humbur shpresën, Ahmed edhe sot e kësaj dite nuk ka ndaluar të merret me sport.
Ai nga ëndrra për t'u zhvilluar si futbollist profesionist kaloi në sportin me duar, kështu duke zgjedhur basketbollin.
Duke u marrë me këtë sport në vitin 2009 pas një vizite nga një drejtues i mëparshëm i Federatës së Futbollit të Irakut, i cili e inkurajoi atë të vazhdojë karrierën e tij sportive, Naser është tani një basketbollist në ekipin kombëtar Paraolimpik të Irakut, një ekip që për të nënkupton se e kaluara ka mbaruar.
“Ekipi ynë përfshin lojtarë nga të gjitha sektet dhe fetë, dhe falë Zotit situata ka ndryshuar tani. Si një futbollist, ndiej se nuk dua të kujtoj kujtimet e këqija, dua të vazhdoj dhe të jetoj në këtë moment dhe të vazhdoj të shikoj drejt së ardhmes sime”, kështu shprehet Naser.
Për të treguar vullnetin, dëshirën, seriozitetin dhe shpirtin e tij sportiv, Naseri dhe ekipi i tij do të garojnë në Kampionatin Botëror të Basketbollit me Karroca në qershor.
Ahmedi ishte kritik ndaj autoriteteve në Irak të cilët, pavarësisht suksesit të pjesëmarrjes së tyre në Kampionatin Botëror të Basketbollit me Karroca, nuk kanë gjetur mbështetjen shtetërore, madje as urata.
Megjithëkëtë, jeta për Ahmedin në Irak vazhdon të mbetet e vështirë. Ai tregon sfidat me të cilat ballafaqohen personat me nevoja të veçanta në përditshmërinë e tyre.
“Gjërat për personat me aftësi të kufizuara nuk janë të disponueshme në Irak. Nëse dëshironi të vizitoni mjekun, shumica e mjekëve janë në katin e dytë dhe nuk ka ashensorë. Nëse doni të shkoni në supermarkete, nuk ka rampa për të hyrë me karrige me rrota. Është shumë e vështirë në Irak, asgjë nuk është në dispozicion për ne”, tha Ahmed Naser.