Varret e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Parlamenti i Austrisë të mërkurën njëzëri ka miratuar një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, e cila nderon boshnjakët që u vranë në qytet më 11 korrik të vitit 1995.
Rezoluta u kërkon autoriteteve austriake që të vazhdojnë të mbështesin në mënyrë aktive përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë së bashku me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian.
Miratimi i rezolutës erdhi pas vizitës zyrtare të ministres austriake të Drejtësisë, Alma Zadiç në Bosnjë e Hercegovinë këtë javë.
Në tekstin e rezolutës thuhet se ajo po miratohet me rastin e përkujtimit të 27-të të spastrimit etnik dhe gjenocidit në Srebrenicë, e cila u shpall zonë e mbrojtur me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 16 prillit 1993.
"Forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç dhe në bazë të urdhrit të presidentit të atëhershëm të (entitetit të Bosnjës e Hercegovinës) Republikës Sërpska pushtuan dhe nënshtruan këtë qytet. Gjatë ditëve në vijim, u kryen masakra nën komandën e gjeneralit Mlladiç, në të cilat morën pjesë ushtarë serbë të Bosnjës, njësi paraushtarake dhe njësi të parregullta policore”, thuhet në njoftim.
Rezoluta kujtoi se mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë që kërkuan mbrojtje nga Forca Mbrojtëse e Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR) u vranë.
“Në të njëjtën kohë, rreth 30 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan me forcë në një operacion të madh spastrimi etnik. Kështu, kjo ngjarje u bë krimi më i rëndë i luftës në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në rezolutë.
Teksti i rezolutës më tej thekson se të gjitha këto “ngjarje tragjike në Srebrenicë” kanë lënë të mbijetuarit me “trauma dhe plagë të thella emocionale”.
Ligjvënësit austriakë thanë më tej se një rezolutë e Parlamentit Evropian e kishte shpallur 11 korrikun Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Srebrenicës.
“Për të siguruar një të ardhme paqësore dhe bashkëjetesë të suksesshme, është e nevojshme që të gjithë përfaqësuesit politikë, qoftë në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në mbarë botën, të përballen me kapitujt më të errët të historisë dhe të pranojnë të kaluarën. Përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe solidariteti me viktimat janë çelësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës si dhe për forcimin e ndërgjegjësimit historik se krime të tilla të tmerrshme nuk duhet të përsëriten kurrë”, përfundon rezoluta.

AA