Numri i të vdekurve në protestat e vazhdueshme të studentëve kundër sistemit të kuotave të vendeve të punës në Bangladesh është rritur në 39, konfirmuan burime policore për Anadolu.
Zyrtarët e policisë thanë se në protesta gjithashtu qindra të tjerë u plagosën, shumica në kryeqytetin Daka. Ndërkohë që u tha se lidhja e internetit në celular ishte ndërprerë në vend, qasja në mediat sociale është e kufizuar.
Faqet e lajmeve me origjinë nga Bangladeshi nuk mund të aksesohen nga jashtë vendit. Derisa protestat vazhdonin në Bangladesh, protestuesit filluan një "aksion bllokimi" në gjithë vendin.
Asif Mahmud, një nga kryekoordinatorët e protestave tha se ata shpallën një "aksion bllokimi" në gjithë vendin dhe se të gjitha institucionet dhe organizatat përveç spitaleve dhe shërbimeve të urgjencës nuk do të lejohen të funksionojnë.
Kuotat e sektorit publik
Përderisa 56 për qind e pozicioneve publike të punësimit në Bangladesh janë të rezervuara për grupe dhe klasa të caktuara demografike, 30 për qind e tyre përfshijnë familjet e pjesëmarrësve në Luftën për Pavarësi të vitit 1971.
Kuotat në fjalë u hoqën në vitin 2018 pas protestave mbarëkombëtare. Protestat nisën pasi Gjykata e Lartë vendosi të rizbatojë sistemin e kuotave muajin e kaluar.
Protestuesit thonë se ky sistem është diskriminues, duke argumentuar se përfitojnë mbështetësit e Partisë Awami League, të udhëhequr nga kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina Wajid.
Protestuesit kërkojnë që ky sistem të zëvendësohet me një sistem të bazuar në merita.
Më 16 korrik u raportua se si pasojë e protestave të zhvilluara në qytetet Daka, Chattogram dhe Rangpur, 6 persona humbën jetën dhe rreth 250 studentë u plagosën, pas ndërhyrjes së policisë.
Këshilli i Arsimit të Lartë të Bangladeshit ka kërkuar që "të gjitha universitetet publike dhe private të mbyllen deri në një njoftim të dytë për të mbrojtur studentët".
Sipas gazetës "Dhaka Tribune", disa universitete në vend, përfshirë Universitetin e Dhakës, ku u mbajtën protestat, njoftuan se institucionet e tyre u mbyllën për një kohë të pacaktuar. Pavarësisht vendimit për mbylljen e universiteteve, studentët refuzuan të linin mësimin.
Kryeministrja Hasina Wajid tha se ka urdhëruar ngritjen e një komisioni për hetimin e vdekjes së studentëve në protesta.