Dublin, shpërthejnë përleshje të dhunshme pas një sulmi me thikë / Foto: AA

Protesta të dhunshme shpërthyen mbrëmë në rrugët e kryeqytetit të Irlandës, Dublin, pasi pesë persona u plagosën në një sulm me thikë, duke përfshirë tre fëmijë dhe një grua.

Sipas raporteve të mediave lokale, një vajzë pesëvjeçare dhe një grua rreth të 30-tave pësuan plagë të rënda nga sulmi me thikë, kurse tre të tjerë pësuan lëndime, përfshirë të dyshuarin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40 me kohën lokale në sheshin Parnell East pranë rrugës së frekuentuar O'Connell. Dy nga viktimat, një vajzë gjashtëvjeçare dhe një djalë pesëvjeçar, u goditën me thikë para një shkolle.

Policia ka identifikuar një burrë rreth të 50-tave si “person të dyshuar”, i cili aktualisht po merr trajtim për plagë të rënda. Autoritetet kanë sqaruar se për momentin nuk janë në kërkim aktiv të personave të tjerë dhe po ndjekin një linjë specifike hetimi.

Po ashtu, thanë se gjatë hetimeve po shqyrtohen të gjitha motivet e mundshme.

Pas sulmit, pati skena të trazuara pranë vendit të incidentit ndërsa protestuesit u mblodhën në zonë. Policia përdori mburojat dhe shkopinj të gomës, ndërsa disa automjete policie pësuan dëmtime gjatë përleshjeve me protestuesit.

Policia tha se pas protestave të dhunshme qëndron "fraksioni krejtësisht i çmendur i huliganëve të shtyrë nga ideologjia e ekstremit të djathtë".

Ministrja e Drejtësisë, Helen McEntee, bëri thirrje për qetësi, duke shprehur shqetësimin se "fraksioni i dhunshëm dhe i manipuluar" po shfrytëzon incidentin për të nxitur kaos. Ajo denoncoi ashpër sulmet ndaj efektivëve të rendit.

Në një postim në X shihet një zjarr që përfshiu një ndërtesë, që pretendohet se ishin pamje të një sulmi me zjarrëvënie në një ndërtesë ku banonin emigrantët.

"Makinat e policisë në zjarr në Dublin. Irlandezët janë të ngopur dhe të zemëruar nga refugjatët e rremë që sulmojnë fëmijët dhe kryejnë të gjitha llojet e krimeve. Të gjithë evropianët janë të zhgënjyer dhe të zemëruar", thuhet në postimin e një përdoruesi tjetër në X.

Pavarësisht disa raporteve që thonë se një emigrant algjerian ishte përgjegjës për sulmin me thikë, policia nuk konfirmoi identitetin e të arrestuarit.

Kryeministri Leo Varadkar paralajmëroi dislokimin e forcave shtesë të policisë në përgjigje të situatës së krijuar.

AA