Bashkimi Evropian njoftoi se do të trajnojë 15 mijë trupa të tjerë (gjithsej 30 mijë) ukrainas në kuadër të misionit të tij të ndihmës ushtarake dhe do të ndajë 25 milionë euro për operacionet e çminimit në territore të caktuara të Ukrainës në samitin e ardhshëm.
Muaj më parë, Parlamenti kroat i tha jo propozimit që ushtria kroate të përfshihet në trajnimin e ushtrisë së Ukrainës, si pjesë e programit të BE-së EUMAM. Nga ana tjetër, Sllovenia, Bullgaria dhe Greqia kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar për ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë ukrainase.
Bashkimi Evropian në tetor dakordoi nismën për Misionin e Asistencës Ushtarake (EUMAM) në përkrahje të Ukrainës. Kjo nismë erdhi si përgjigje e kërkesës së Ukrainës, e cila tashmë disa muaj kërkon ndihmë nga BE-ja për të trajnuar forcat e armatosura.
EUMAM-i synon të kontribuojë në rritjen e kapacitetit ushtarak të forcave të armatosura të Ukrainës. Misioni do t'i ndihmojë Ukrainës në stërvitjen e ushtarëve në nivele të ndryshme, stërvitjen e forcave speciale dhe të rezervistëve.
Më 3 shkurt në Kiev do të zhvillohet samiti i parë BE-Ukrainë. Blloku me anë të këtij samiti kërkon të dërgojë një "sinjal të fuqishëm se e mbështesim vendin që është viktimë e agresionit dhe se nënvizojmë të drejtën e Ukrainës për të pasur paqe të drejtë në fund të kësaj lufte", deklaroi para gazetarëve zyrtari i BE-së në Bruksel.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës shkurtin e kaluar, BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë ofruar 50 miliardë euro në mbështetje të drejtpërdrejtë për Ukrainën, përfshirë më shumë se 12 miliardë euro ndihmë ushtarake, sipas vlerësimeve të bllokut.
BE-ja ka vendosur nëntë pako sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë, ndër të tjerash, presidentin rus Vlladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Llavrov, ndalesën e importit të arit, naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze dhe teknologjisë së lartë si dhe përjashtimin e Bankave të Rusisë dhe Bjellorusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.