Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano përshëndeti të enjten përfundimin e hetimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e vitit të kaluar në Banjska dhe shtoi se pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në të gjitha fazat e procesit.
"BE-ja mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës përfundoi hetimin për sulmin në Banjska dhe ngriti aktakuzat përkatëse. BE-ja vazhdimisht ka përsëritur pritjen e saj që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirë në këtë sulm brutal të mbajnë përgjegjësi. Tash fillon procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, tha Stano në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se BE-ja tani është në pritje të vendimit të gjykatës dhe shtoi se Serbisë i është kërkuar vazhdimisht të bashkëpunojë në atë rast.
“Kjo është pritshmëria e BE-së dhe ajo ende qëndron, dhe ne vazhdimisht ua përcjellim mesazhin partnerëve tanë në Serbi. Në fund të shtatorit të vitit të kaluar ne thamë se ky sulm ishte një përshkallëzim i qartë dhe i paprecedentë dhe se do të kishte pasoja. Kur gjykata në Kosovë do të vendos se kush është fajtor, kush është përgjegjës apo i pafajshëm, atëherë do të vijë koha e përgjegjësisë. Kemi një sërë instrumentesh që mund t'i përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Ende s’kemi arritur aty. Procesi gjyqësor ka filluar. Me rëndësi se hetimet kanë përfunduar. Tani gjykata duhet të vendosë se vallë konkluzat e hetimeve janë të kënaqshme. Do ta shohim rezultatin”, theksoi Stano.
Ai shtoi se është normale të pritet përfundimi i procesit gjyqësor dhe vetëm atëherë të diskutohet për hapat e mëtejshëm.
"Tani fillon procesi gjyqësor. Kjo është procedurë gjyqësore dhe ne nuk mund të ndërhyjmë në të. Është pjesë e procesit. Kur gjithçka të ketë mbaruar, atëherë është koha të diskutohet dhe të komentohet se kush do të mbajë pasojat", tha Stano.
Të mërkurën, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti padi ndaj 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiqin, të cilët ishin pjesë e një grupi të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjska shtatorin e kaluar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se vonesa në ngritjen e aktakuzës ka ardhur për shkak të pranimit të rezultateve të hetimeve të kryera jashtë vendit.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në një sulm të një grupi të armatosur serb më 24 shtator 2023, në Banjskë, afër Zveçanit, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit humbën jetën edhe tre sulmues. Pjesa tjetër e grupit u largua në drejtim të Serbisë.
Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai dha dorëheqjen nga ajo detyrë disa ditë pas sulmit në Banjskë.