Rreth 4,2 milionë refugjatë ukrainas jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian nën mbrojtje të përkohshme, njoftoi të premten zyra statistikore e BE-së, Eurostat.
“Afro 4,2 milionë qytetarë që u larguan nga Ukraina për shkak të pushtimit rus më 24 shkurt 2022, kishin status të përkohshëm mbrojtjeje në vendet anëtare të BE-së”, tha Eurostat në një deklaratë.
Sipas të dhënave më të fundit të mbledhura më 30 shtator, Gjermania (1,194 milion), Polonia (958.000) dhe Republika Çeke (357.000) presin numrin më të madh të refugjatëve ukrainas.
Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti janë marrë gjithsej 256.860 vendime për mbrojtje të përkohshme për personat që ikën nga Ukraina në vendet anëtare të BE-së, që është 1,3 për qind më pak se në tremujorin e dytë të 2023-shit.
Krahasuar me popullsinë e përgjithshme, më së shumti ukrainas u mirëpritën nga Polonia dhe Republika Çeke.
Gratë e rritura përbëjnë pjesën më të madhe, 46,5 për qind, të refugjatëve ukrainas në BE, ndërsa grupi i dytë më i madh janë fëmijët, 33,7 për qind.
Më 4 mars 2022, Këshilli Evropian miratoi njëzëri mbrojtjen e përkohshme për njerëzit që ikin nga Ukraina për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.