BE-ja: Mbështetja e Kinës për Rusinë, "kërcënim" për sigurinë e Evropës /       Foto: AA

Bashkimi Evropian (BE) tha se mbështetja "materiale dhe diplomatike" e Kinës për Rusinë, e cila vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës, përbën "kërcënim të drejtpërdrejtë" për sigurinë e Evropës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në një intervistë me shkrim për agjencinë e lajmeve "Kyodo" me bazë në Tokio ka reaguar ndaj mbështetjes së fundit të Kinës për Rusinë.

"Rritja e eksporteve të Kinës në sasi të mëdha për mallrat dhe produktet me përdorim të dyfishtë po ndihmojnë ndjeshëm në krijimin e bazës ushtarako-industriale të Rusisë", deklaroi Borrell.

Duke paralajmëruar se mbështetja "materiale dhe diplomatike" e Kinës për Rusinë e cila vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës përbën "kërcënim të drejtpërdrejtë" për sigurinë e Evropës, Borrell tha se edhe mbështetja e dhënë nga Koreja e Veriut për Rusinë tregon "se sa e lidhur ngushtë është siguria e Evropës me sigurinë e Indo-Paqësorit".

Borrell bëri thirrje për nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve me të njëjtin mendim me Japoninë përballë kërcënimeve të sigurisë, përfshirë sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës. Ai theksoi se BE-ja "do të vazhdojë t'i përgjigjet me shpejtësi mbështetjes së vendeve të treta për 'makinerinë e luftës' të Rusisë".

Duke iu referuar marrëveshjeve të partneritetit të sigurisë dhe mbrojtjes që pritet të nënshkruhen midis BE-së dhe Japonisë, Borrell tha se ato vazhdojnë konsultimet për "rezistencën e zinxhirëve të furnizimit" dhe iniciativat e industrisë së mbrojtjes.

Borrell i cilësoi Brukselin dhe Tokion "partnerë strategjikë shumë të ngushtë". Ai potencoi se palët duhet të gjejnë "një mënyrë për të punuar së bashku më ngushtë në forumet shumëpalëshe me qëllimin për t’i arritur përgjigjet e mjaftueshme dhe për të mbrojtur parimet për ta inkurajuar stabilitetin në të gjitha rajonet dhe pikat e nxehta".

AA