BE-ja përsërit thirrjen që të ndiqen përgjegjësit e sulmit në Banjskë / Foto: AA

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen që të ndiqen përgjegjësit e sulmit në Banjskë të Zveçanit në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja përsërit thirrjen që të ndiqen përgjegjësit e sulmit në Banjskë dhe se është e përkushtuar për drejtësi.

Në përvjetorin e parë të sulmit në Banjskë, Stano ka shkruar në rrjetet sociale se duhet të vijojnë përpjekjet për ruajtjen e sigurisë dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Një vit pas sulmit në Banjskë, BE-ja përsërit thirrjen për ndjekje të shpejtë të përgjegjësve dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie. Është rikujtim i nevojës për përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur sigurinë dhe avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë", ka shkruar Stano.

Stano ka shpërndarë postimin e përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili shkroi se "dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti një polic i vdekur e dy të tjerë të plagosur".

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e rënies së rreshterit Afrim Bunjaku tha se Bunjaku ra dëshmor për të treguar se Kosova "është atdheu ynë i përjetshëm".

"Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm!", shkroi presidentja Osmani.

Mbrëmë, në një mbledhje të kabinetit qeveritar, Qeveria e Kosovës emërtoi rrugën rajonale Ballaban-Banjskë me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës "Afrim Bunjaku".

Në mëngjes, kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministra të tjerë dhe deputetë, vizituan familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, ndërsa po ashtu vendosën kurora lulesh në varrin e tij.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë.

Ditën e nesërme, më 25 shtator, do të fillojë gjykimi i disa prej pjesëmarrësve të sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

AA