Belgjika pro GjNP-së për arrest të liderëve izraelitë dhe të Hamasit / Photo: AA

Ministrja e Jashtme belge ka mirëpritur të hënën kërkesën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) për vendimin e urdhërarrestit kundër liderëve izraelitë dhe të Hamasit si një "hap të rëndësishëm", duke thënë se krimet e kryera në Gaza "duhet të ndiqen penalisht në nivelin më të lartë".

"Krimet e kryera në Gaza duhet të ndiqen penalisht në nivelin më të lartë, pavarësisht nga autorët. Lufta kundër mosndëshkimit kudo ku ndodhin krimet është një prioritet për Belgjikën," tha Hadja Lahbib në një deklaratë.

Herët të hënën, Karim Khan, prokurori i GjNP-së, aplikoi për urdhër-arrest kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre udhëheqësve të Hamasit, përfshirë Ismail Haniyeh.

“Kërkesa e paraqitur nga prokurori i Gjykatës, Karim Khan, për urdhërarreste kundër zyrtarëve të Hamasit dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm në hetimin e situatës në Palestinë”, u shpreh Lahbib.

Në një deklaratë, Karim Khan tha se ai ka baza të arsyeshme për të besuar se Netanyahu dhe Gallant mbajnë përgjegjësi penale për "krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit" të kryera në territorin e Palestinës, veçanërisht në Rripin e Gazës, të paktën nga 8 tetori.

Prokurori shtoi se ata gjithashtu kanë aplikuar për urdhërarrest për tre liderë të Hamasit, Ismail Haniyeh, Yahya Sinwar dhe Mohammed Deif, për "krime lufte dhe krime kundër njerëzimit" të kryera në Izrael dhe Rripin e Gazës "nga të paktën 7 tetori 2023. "

AA