Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se do t'i parashtrojë një "kërkesë urgjente" Kongresit të premten për të financuar nevojat e sigurisë kombëtare të ShBA-së për të mbështetur "partnerët e saj kritikë", përfshirë Izraelin dhe Ukrainën.
"Është një investim i mençur që do të jetë fitimprurës për sigurinë amerikane për breza", tha Biden të enjten ndërsa iu drejtua kombit nga Zyra Ovale.
Ai shtoi se ShBA-ja do të sigurojë që "Kupola e Hekurt të vazhdojë të mbrojë qiejt mbi Izrael".
“Ne do të sigurohemi që aktorët e tjerë armiq në rajon ta dinë se Izraeli është më i fortë se kurrë dhe do të parandalojmë përhapjen e këtij konflikti”, theksoi Biden.
Biden pritet të kërkojë rreth 100 miliardë dollarë fonde emergjente, të cilat do të përfshijnë ndihmën e mbrojtjes për Izraelin dhe Ukrainën.
Ai tha gjithashtu se grupi palestinez Hamas dhe presidenti rus Vlladimir Putin paraqesin "kërcënime të ndryshme", duke shtuar se të dy synojnë "të shkatërrojnë demokracinë fqinje".
Biden tha gjithashtu se ai foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për "nevojën kritike që Izraeli të veprojë sipas ligjeve të luftës".
"Kjo do të thotë të mbrojmë civilët në luftë sa më mirë që mundemi", tha Biden, duke shtuar se banorët e Gazës kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe ilaçe.
Ai shtoi se dje në bisedimet me liderët e Izraelit dhe Egjiptit, siguroi një marrëveshje për dërgesën e parë të ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara për civilët palestinezë në Rripin e Gazës.
"Dërgesat do të ofrojnë një mundësi për dërgimin e vazhdueshëm të ndihmave humanitare shpëtimtare për palestinezët. Siç thashë në Izrael, sado e vështirë të jetë, ne nuk mund të heqim dorë nga paqja", tha Biden, duke shtuar:
"Izraeli dhe palestinezët njësoj meritojnë të jetojnë në siguri, dinjitet dhe paqe".
Biden tha se ishte "me zemër të thyer nga humbja tragjike e jetëve palestineze" në "shpërthimin" në fillim të kësaj jave në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza, pas të cilit ai pretendoi se nuk qëndron Izraeli.
“Ne jemi të pikëlluar për çdo jetë të pafajshme të humbur”, shtoi presidenti amerikan.
Duke kujtuar vrasjen brutale të 6-vjeçarit palestinezo-amerikan Wade Al-Fayoume në Çikago këtë javë, Biden tha:
"Ne nuk mund të qëndrojmë anash dhe të heshtim kur ndodhin gjëra të tilla. Ne duhet, pa mëdyshje, të dënojmë antisemitizmin. Ne gjithashtu duhet, pa mëdyshje, të dënojmë islamofobinë. Ne jemi një komb i lirisë fetare, lirisë së shprehjes. Të gjithë kemi të drejtë të debatojmë dhe të mos pajtohemi pa frikë se do të shënjestrohemi në shkolla, në vendet e punës ose në komunitetet tona”.