Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t'i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kështu tha në fund të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.
Për javën e ardhshme, ai paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, "do të ishte i pranueshëm për Kosovën".
Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse "kjo do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë".