Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Izrael, ndalja e parë e turneut të tij të ri në Lindjen e Mesme që synon t'i japë fund luftës në Gaza.
Është udhëtimi i 11-të i Blinken në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori 2023, dhe ai pritet të diskutojë situatën në Gaza dhe Liban me zyrtarë të lartë izraelitë, si dhe reagimin e mundshëm të Tel Avivit ndaj sulmit raketor të Iranit në Izrael më 1 tetor.
Departamenti i Shtetit njoftoi se turneu i Blinken në Lindjen e Mesme do të zgjasë deri më 25 tetor dhe do të riafirmojë përkushtimin e ShBA-së për ndërtimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
U njoftua se ata do të diskutonin për përfundimin e luftës në Gaza, lirimin e pengjeve dhe nevojën urgjente për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
“Jam rrugës për në Izrael dhe ndalesa të tjera në Lindjen e Mesme për diskutime intensive mbi rëndësinë e përfundimit të luftës në Gaza, kthimin e pengjeve në familjet e tyre dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez”, tha Blinken në rrjetin social X.
Blinken do t'i vizitojë gjithashtu Jordaninë dhe Katarin.
Përpjekjet ndërmjetësuese nga ShBA-ja, Egjipti dhe Katari deri më tani nuk kanë dhënë rezultate, por Uashingtoni thotë se vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, nga Izraeli javën e kaluar mund të çojë në përparim në bisedimet.
Hamasi, megjithatë, thotë se konflikti do të përfundojë kur Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake në Gazën e bllokuar, e cila ka vrarë më shumë se 42.600 njerëz që nga 7 tetori i vitit të kaluar.