Biden: Të mos ishte Trump, nuk jam i sigurt se do të kandidoja / Foto: Reuters

Presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk është i sigurt se do të kandidonte për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë nëse paraardhësi i tij Donald Trump nuk do të ishte kundërshtar.

"Nëse Trump nuk do të kishte kandiduar, nuk jam i sigurt se do të kandidoja. Por, për të mirën e vendit, ne nuk mund ta lëmë atë të fitojë," u tha Biden donatorëve demokratë gjatë një mbledhjeje fondesh për fushatën e tij 2024 në Boston.

Me atë rast, Biden tha se demokracia është “në rrezik më të madh në vitin 2024” sesa ishte në zgjedhjet e vitit 2020, në të cilat e fitoi Trumpin, duke shtuar se ai "po kandidon kundër mohuesit përfundimtar të zgjedhjeve".

“Trump as nuk po e fsheh më topin”, tha Biden, duke shtuar se Trump dhe republikanët e tij MAGA (Make America Great Again) janë “të vendosur të shkatërrojnë demokracinë amerikane”.

Komentet e tij erdhën pasi Trump, duke folur në një aktivitet të fushatës në Iowa të shtunën, e quajti Biden një "shkatërrues të demokracisë amerikane".

"Joe Biden nuk është mbrojtësi i demokracisë amerikane. Joe Biden është shkatërruesi i demokracisë amerikane. Ky është ai dhe njerëzit e tij. Ata janë shkatërruesit e ëndrrës amerikane. Ëndrra amerikane ka vdekur me ata në pushtet", deklaroi Trump.

AA