Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrel, në një fjalim pas samitit në Berlin tha mbrëmë se aktorët ndërkombëtare duhet të sigurohen që Rusia të mos gjejë hapësirë për ndërhyrje në punët e brendshme në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe Rusisë nuk duhet t’i jepet asnjë shkas për ndërhyrje.
“Duhet të mënjanojnë ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet t’i japim asnjë shkas që Rusia të përzihet në jetën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pasi ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është drejtuar kah anëtarësimi në BE”, tha Borrel.
Sipas Borrelit, me dy fjalë mund të përshkruhet si rezyme ajo që duhet të ndodhë në Ballkanin Perëndimor: rimëkëmbje dhe pajtim.
“Le të punojmë që ta rrisim rimëkëmbjen në Ballkanin Perëndimor, si në aspektin ekonomik, stabilitetit politik, por edhe kundër dezinformatave, sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve hibride. E dyta, të punojmë me ta që të tejkalohet trashëgimia e së shkuarës dhe të arrihet pajtim mes tyre”, tha Borrell.
Pas samitit të Berlinit, Borrel mori pjesë në takimet e ministrave të jashtëm të G7-s nën presidencën gjermane. Në këtë takim, siç njofton Borrel, është folur kryesisht për luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Evropë. Shtetet perëndimore do të vazhdojnë t’i ndihmojnë Ukrainës ushtarakisht dhe financiarisht, për t’i bërë ballë agresionit rus, thotë Borrel.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme tha gjithashtu se “është lajm i mirë që Rusia vendosi t’i kthehet marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Türkiye” për vazhdimin e eksportit të drithërave ukrainas.