Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për F-16 ka filluar në disa vende, përfshirë Poloninë.
Borrell në një deklaratë për media në hyrje të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të BE-së, tha: "Jam i lumtur që më në fund pilotëve ukrainas ka filluar t'u jepet trajnimi për F-16. Kjo do të marrë kohë, por sa më shpejt të përfundojë, aq më mirë".
Ai theksoi se trajnimet filluan në disa vende dhe se një nga këto vende ishte Polonia.
I pyetur se në çfarë faze është procesi i përbashkët i prokurimit që vendet e BE-së të përshpejtojnë dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë, Borrell deklaroi se ky proces po përparon.
Në takimin e G7-shit të mbajtur në Japoni javën e kaluar, u hap rruga për dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë.
Agjenda e ministrave të Mbrojtjes
Në takim, agjenda kryesore do të jetë përshpejtimi i mbështetjes së armëve dhe municioneve të kërkuara nga Ukraina.
Në rend dite do të jetë edhe trajnimi i ushtarëve ukrainas. Zyrtarët e BE-së thonë se deri më tani ka përfunduar trajnimi i 15 mijë ushtarëve ukrainas dhe planifikojnë ta rrisin këtë në 20 mijë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të marrë pjesë në një pjesë të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së.