Kreu i politikës së jashtme të BE-së kritikoi kryeministrin izraelit për interpretimin e historisë dhe opinioneve gjyqësore në favor të vendit të tij.
Qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë opinionin e fundit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për vendbanimet në Bregun Perëndimor.
"Epo, ju mund ta interpretoni historinë si të doni, por ne po flasim për të drejtën ndërkombëtare dhe ju do të respektoni të drejtën ndërkombëtare", tha Josep Borrell gjatë mbërritjes në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
Ai theksoi se opinioni këshillues thoshte se "pushtimi i territoreve palestineze në Bregun Perëndimor është plotësisht i paligjshëm dhe duhet të ndalet". Sipas Borrellit, GjND-ja, "organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara", dërgoi një "mesazh shumë të qartë".
"Politika nuk ka qenë në gjendje të gjejë një zgjidhje, por gjykata nuk është aty për të zbatuar mendimin e tyre. Opinionet duhet të zbatohen nga fuqitë politike", kritikoi Borrell.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së shprehu gjithashtu keqardhje për situatën humanitare në Rripin e Gazës nën sulmet izraelite, përfshirë "17 mijë jetimë dhe pothuajse 40 mijë njerëz të vrarë".
"Për të rindërtuar Gazën, do të duhen 10 vjet vetëm për të hequr rrënojat", tha Borrell dhe vuri në dukje se plani i armëpushimit i mbështetur nga presidenti amerikan Joe Biden nuk është zbatuar ende.
Zyrtari i BE-së u zotua se gjatë takimit do të "vënë përsëri në tryezë" veprimet e mundshme për të ndërmarrë BE-ja.
Gjykata e lartë e OKB-së vendosi të premten se Izraeli duhet t'i japë fund okupimit të territoreve palestineze "sa më shpejt të jetë e mundur", teksa i bëri thirrje gjithashtu Tel Avivit të bëjë dëmshpërblime të plota për "aktet e tij të paligjshme ndërkombëtare".
Gjykata gjeti shkelje të shumta të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli, përfshirë aktivitete që përbënin aparteid.
Netanyahu, nga ana e tij, tha në X: "Populli hebre nuk është pushtues në tokën e tij, përfshirë në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin (Kudsin) dhe as në Judea dhe Samaria (Bregu Perëndimor), atdheu ynë historik".
Situata në Ukrainë
Borrell theksoi se infrastruktura elektrike në Ukrainë po vuante nga sulmet dhe se situata do të përkeqësohej në dimër.
"70 për qind e kapacitetit të prodhimit të energjisë në Ukrainë po shkatërrohet. Jemi në verë, por në dimër, kjo do të jetë shumë më e vështirë për t'u përballuar, kështu që unë do t'u bëj thirrje vendeve anëtare të ofrojnë më shumë mbështetje për të rindërtuar dhe zëvendësuar rrjetin elektrik me më shumë prodhim të energjisë", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së.
Ai theksoi nevojën që Ukraina të intensifikojë mbrojtjen e saj ajrore.
"BE-ja po mbështet Ukrainën dhe është e gatshme të përfundojë këtë luftë në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara. BE-ja nuk po kërkon luftë", tha Borrell.