Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, tha se vendosja e sanksioneve kundër Izraelit duhet të jetë në agjendën e BE-së.
Borrell iu përgjigj deklaratave të ministrit të Sigurisë Kombëtare të krahut të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir përmes platformës X.
Duke vënë në dukje se komuniteti ndërkombëtar po punon për të shpallur një armëpushim në Gaza, Borrell iu përgjigj thirrjes së Ben-Gvir për të shkurtuar karburantin dhe ndihmën për civilët.
Borrell tha se deklarata në fjalë ishte "nxitje për krime lufte", ashtu siç ministri izraelit i financave Bezalel Smotrich la të kuptohej se vdekjet nga uria e dy milionë banorëve të Gazës mund të "justifikoheshin", duke shtuar: "Sanksionet (mbi Izraelin) duhet të jenë në agjendën tonë".
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të mbajë një distancë të qartë nga këto nxitje për të kryer krime lufte dhe të marrë pjesë me mirëbesim në negociatat e ndërmjetësuara nga ShBA-ja, Katari dhe Egjipti për një armëpushim të menjëhershëm”, shtoi Borrell.