Policia britanike njoftoi se ka arrestuar gjashtë persona në një hetim mbi aktivitet të dyshuar të lidhur me grupin terrorist PKK.
Siç njoftoi Policia Metropolitane e Londrës, në mesin e të arrestuarve janë dy gra, ndërsa personat u arrestuan në adresa të veçanta në Londër herët këtë mëngjes dhe gjenden në paraburgim.
"Nuk besohet të ketë ndonjë kërcënim të afërt për publikun lidhur me çështjet nën hetim", thuhet në deklaratë.
Në fushatën e saj terroriste 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
Arrestimet vijnë pas "një hetimi dhe operacioni të rëndësishëm mbi aktivitetin që ne besojmë se është i lidhur me grupin terrorist PKK", tha ushtruesja e detyrës Komandant i Komandës Kundër Terrorizmit, Helen Flanagan.
“Këto janë arrestime të shënjestruara të atyre që dyshojmë se janë të përfshirë në veprimtari terroriste të lidhur me grupin (PKK)”, theksoi ajo, duke shtuar:
“Shpresoj që këto arrestime tregojnë se ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj aktiviteti terrorist dhe se do të ndërmarrim veprime aty ku besojmë se ka dëme që u shkaktohen komuniteteve këtu në Mbretërinë e Bashkuar apo gjetkë”.
- Mbrojtja e "komuniteteve turke dhe kurde" të Mbretërisë së Bashkuar
Në deklaratë gjithashtu thuhet se oficerët e policisë "po kryejnë kontrolle në tetë adresa në gjithë Londrën, duke përfshirë qendrën e komunitetit kurd në Haringey, në veri të Londrës".
“Aktiviteti i kërkimit në të tetë lokacionet është në vazhdim. Kërkimet në qendrën e komunitetit pritet të zgjasin deri në dy javë. Si qendra, ashtu edhe zona përreth, do të jenë të mbyllura për publikun, ndërsa oficerët do të vazhdojnë punën e tyre atje”, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se oficerë të tjerë të policisë do të kryejnë patrulla dhe do të ketë një prani të shtuar të policisë në zonë gjatë ditëve në vijim, me gatishmëri për të folur me çdo individ që mund të jetë i shqetësuar.
"Ky hetim dhe aktivitet ka të bëjë me mbrojtjen e të gjitha komuniteteve tona, por veçanërisht atyre në komunitetet tona turke dhe kurde", theksoi Flanagan, duke shtuar: "Unë do t'i bëj thirrje të na kontaktojnë kushdo që mendon se mund të jetë prekur ose shënjestruar nga ata të lidhur me PKK-në".
“Ne jemi gjithashtu shumë të vetëdijshëm se mbyllja e qendrës së komunitetit mund të shkaktojë bezdi për disa njerëz. Oficerët do të punojnë sa më shpejt që të munden, por këto janë akuza shumë serioze, ndaj është e rëndësishme që ne të kujdesemi në identifikimin dhe mbledhjen e sa më shumë provave që mundemi”, tha ajo.
Grupi terrorist PKK është i jashtëligjshëm në Britani, si dhe në BE dhe ShBA, por zyrtarët turq janë ankuar se zyrtarët evropianë dhe amerikanë, përfshirë partnerët në NATO, kanë bërë shumë pak për të goditur aktivitetet brenda kufijve të tyre të organizatës së dhunshme terroriste, duke përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe zhvatjen.