Nga maji i vitit të ardhshëm, qytetarët e Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera, kryesisht qytetarët e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe Moldavisë dhe Ukrainës, do të duhet të paguajnë tarifën e vizës prej shtatë euro për të hyrë në zonën Shengen.
Komisarja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, konfirmoi se Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), sipas të cilit britanikët dhe qytetarët e tjerë do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave përpara se të hyjnë në BE, me siguri do të hyjë në fuqi nga maji i vitit të ardhshëm.
Kjo do të vlejë edhe për qytetarët e vendeve të tjera që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE, si ShBA-ja, Australia dhe Kanadaja, raporton Guardian.
Sistemi ETIAS do t'u kërkojë shtetasve jo-BE të aplikojnë për një leje udhëtimi prej shtatë eurosh përpara se të hyjnë në zonën Shengen, e cila përfshin 27 anëtarët e BE-së, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Leja do të zgjasë për tri vjet, ose deri në skadimin e afatit të pasaportës.
Udhëtarët nën moshën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç do të përjashtohen dhe ata që udhëtojnë nga Britania e Madhe në Irlandë ose Qipro nuk do të kenë nevojë të aplikojnë për leje pasi këto dy vende nuk janë pjesë e zonës Shengen.
Udhëtarët do të duhet të japin informacion personal në internet, si adresën dhe punësimin, si dhe dosjen penale dhe informacionin e kontaktit në vendin e destinacionit. Shumica e kërkesave pritet të miratohen brenda pak minutash, por disa vendime mund të zgjasin deri në 72 orë, sipas Guardian.
Ndërkohë, BE-ja konfirmoi se më 10 nëntor, pra gjysmë viti para zbatimit të sistemit ETIAS, pas disa vonesave do të nisë funksionimi i sistemit të hyrje-daljeve (EES) për vendet e zonës Shengen.
EES do t'u kërkojë pasagjerëve të ofrojnë të dhëna biometrike si shenjat e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës në kufi. Është pjesë e masave që synojnë ta bëjnë më të vështirë hyrjen e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false. Sipas parashikimeve të para, sistemi duhej të ishte funksional që në vitin 2022.