Brukseli zbarkon në Kiev, çfarë pritet nga Samiti BE-Ukrainë?     /     Foto: Reuters

Të premten mbahet samiti i parë mes Bashkimit Evropian dhe Ukrainës pas fillimit të luftës në Ukrainë shkurtin e kaluar. Koha dhe vendi i saktë i samitit po mbahen sekret për arsye sigurie, por dihet se në të do të marrin pjesë Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Ky samit është gjithashtu i pari që kur Ukraina mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE qershorin e kaluar, me procedurë urgjente.

Në fokus të Samitit

BE-ja dhe Ukraina kanë shumëçka për të diskutar në kontekstin aktual politik dhe të sigurisë. Sipas njoftimit të Këshillit Evropian, përveç ndihmës së BE-së për Ukrainën, do të diskutohet edhe procesi i saj i integrimit dhe çështje të tjera.

Agjenda zyrtare parashikon diskutim për këto tema:

• Rruga evropiane e Ukrainës dhe procesi i saj i anëtarësimit

• Përgjigjja e BE-së ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës

• Nisma e Ukrainës për paqe dhe përgjegjësi

• Bashkëpunimi në çështjet e rikonstruimit dhe për fushat e energjisë dhe lidhshmërisë

• Siguria ushqimore globale

Përkrahja ushtarake dhe financiare

Që nga fillimi i luftës, Bashkimi Evropian ka ndihmuar Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe në diplomaci. Nëpërmjet Mekanizmit Evropian të Paqes dhe Misionit të BE-së për Asistencë Ushtarake (EUMAM), ndihma ushtarake e BE-së për Ukrainën vlerësohet rreth 3.6 miliardë euro, ndërsa bashkë me ndihmën e shteteve anëtare llogaritet rreth 12 miliardë euro.

Ndihma e përgjithshme financiare nga BE-ja dhe shtetet anëtare llogaritet të ketë arritur nivelin e 50 miliardë eurove deri tani.

Më 4 mars 2022, Bashkimi Evropian aktivizoi direktivën për mbrojtje të përkohshme, një mekanizëm emergjent evropian që lejon personat e zhvendosur të kenë të drejta të harmonizuara në gjithë BE-në. Rreth 4 milionë ukrainas përfitojnë nga ky mekanizëm.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka vendosur një gamë të gjerë sanksionesh ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

TRT Balkan