Buxheti i ShBA-së, shkurtohen miliona nga të cilat përfitonte PKK/YPG-ja   Foto: AA

Në rrugën drejt miratimit përfundimtar, buxheti i ShBA-së për mbrojtje për vitin 2023 shkurton miliona dollarë në ndihmë ushtarake që do t'u jepeshin grupeve terroriste në Siri dhe Irakun verior, por lë akoma miliona të tjera për grupet terroriste që po kërcënojnë kufijtë e Türkiyes dhe civilët lokalë.

Ligji për Buxhetin e Mbrojtjes, që kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve të enjten me votim 350-80, shkurton më shumë se 35.81 milionë dollarë nga fondi anti-DAESh për Irakun dhe 18.37 milionë dollarë nga fondi për Sirinë, nga të cilat fonde përfiton edhe PKK/YPG-ja.

Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, buxheti prej 858 miliardë dollarësh tani kalon në Senat për votën përfundimtare, dhe nëse kalon aty, i dorëzohet presidentit Joe Biden për nënshkrim.

Përgjatë shumë viteve dhe shumë administratave amerikane, Türkiye ka kundërshtuar fuqishëm ndihmën ushtarake të ShBA-së – në formën e armatimit, municionit dhe stërvitjes – dhe partneritetin e tyre me terroristët e PKK/YPG-së, degë e një grupi terrorist që ka shkaktuar rreth 40.000 viktima në fushatën e tyre të terrorit kundër Türkiyes. ShBA-ja thotë se punon me PKK/YPG-në për të luftuar DAESh-in, ndërsa zyrtarët turq thonë se nuk ka logjikë në përdorimin e një grupi terrorist për të luftuar një tjetër.

Në ligjin amerikan, si pjesë e luftës kundër DAESh-it në Siri dhe Irak, 502.92 milionë dollarë nga 541.7 milionë të kërkuara iu dhanë partnerëve të ShBA-së, përfshirë grupin terrorist PKK/YPG.

Një tabelë e bashkëngjitur me ligjin thotë se 35.81 milionë dollarë nga 358.15 milionët e kërkuara për Irakun janë të paarsyetushme, kështu që shuma e përgjithshme u shkurtua në 322.2 milionë dollarë.

Tabela thotë gjithashtu se 18.37 milonë nga 183.67 milionët e kërkuara për Sirinë, prej të cilave po ashtu përfiton PKK/YPG-ja, janë të paarsyetueshme. Përfundimisht u miratuan rreth 165.31 milionë dollarë për aktivitete, përfshirë bashkëpunimin me grupin terrorist.

ShBA-ja gjithashtu miratoi 800 milionë dollarë për Nismën e Asistencës së Sigurisë të Ukrainës, dhe rreth 6 miliardë dollarë për mbështetjen e operacioneve ushtarake të ShBA-së në Evropë.




AA