Çavuşoğlu e Daçiq flasin për raportet dypalëshe, BeH dhe Kosovën. / Photo: AA

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu pas takimit me homologun e tij serb Ivica Daçiq në Ankara tha se roli i Türkiyes dhe i Serbisë është shumë i rëndësishëm në kontekstin e paqes dhe stabilitetit, si dhe parandalimin e tensioneve në Bosnjë e Hercegovinë, dhe zgjidhjet nëpërmjet dialogut për keqkuptimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për ngjarjet e fundit lidhur me përmbytjet në rajonin e Sanxhakut, Çavuşoğlu shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me Serbinë, duke thënë se ekipet dhe ekspertët e AFAD-it turk janë tashmë në terren dhe do të ofrojnë gjithë mbështetjen.

“Ne po jetojmë periudhën e marrëdhënieve më të mira mes Türkiyes dhe Serbisë, kjo është epoka e artë e marrëdhënieve tona”, tha Çavuşoğlu, duke theksuar se në periudhën e ardhshme do të punojë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Türkiyes dhe Serbisë.

Ai vuri në dukje se gjatë vizitës së fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Serbi, janë nënshkruar shtatë dokumente në fusha të ndryshme.

“Ne do të punojmë në forcimin e bashkëpunimit tonë ekonomik. Vëllimi i tregtisë ka arritur në 2.5 miliardë dollarë. Udhëheqësit tanë kanë vendosur një objektiv prej pesë miliardë dollarësh. Ne duhet të vendosim qëllime të reja”, tha Çavuşoğlu.

Ai po ashtu shtoi se niveli i investimeve turke në Serbi është vazhdimisht në rritje, për çka falënderoi Serbinë, e cila, siç theksoi, po i zgjidh të gjitha pengesat që hasin investitorët turq në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“HalkBank po hap degë të reja në Serbi dhe numri i degëve të kësaj banke do të rritet në 40”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se Türkiye dhe Serbia dëshirojnë të forcojnë bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe se bisedimet janë duke vazhduar në këtë front.

Mes të tjerash, ai foli edhe për numrin e turistëve që shkëmbejnë me njëri-tjetrin duke konstatuar se kjo shifër është në rritje të vazhdueshme dhe se në këtë drejtim do të ndërmerren hapa të rink në linjat e trafikut ajror.

“Pas Istanbulit dhe Ankarasë, në shkurt të këtij viti do të fillojmë me fluturime direkte Izmir – Beograd”, tha Çavuşoğlu.

Sa i përket bashkëpunimit në fushën e kulturës, ai po ashtu ka bërë të ditur se Agjencia për Bashkëpunim dhe Koordinim e Türkiyes (TIKA) këtë vit do të fillojë restaurimin e Xhamisë Bajrakli të Beogradit.

Lidhur me projektin e autostradës Sarajevë-Beograd, të iniciuar nga Türkiye, Çavuşoğlu tha se pjesa e projektit në zonën e Serbisë po ecën mirë dhe se është e nevojshme që të bëhet edhe në zonën e Bosnjë e Hercegovinës.

Një nga temat e takimit ishte sigurisht lufta kundër terrorizmit. Çavuşoğlu falënderoi Serbinë për mbështetjen e saj në luftën kundër organizatës terroriste FETO.

"Sot, ne kërkuam gjithashtu mbështetje në lidhje me ekstradimin e një personi të lidhur me organizatën terroriste PKK," tha Çavuşoğlu.

U diskutua edhe për situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë.

“Paqja dhe stabiliteti në Ballkan janë të rëndësishme për të gjithë ne. Për të mos rritur tensionin në Bosnjë e Hercegovinë, po formohet qeveria, për paqen dhe stabilitetin është shumë i rëndësishëm roli që do të luajnë dhe luajnë Türkiye dhe Serbia. Në këtë kuptim, mekanizmi trepalësh Türkiye - BeH - Serbi është gjithashtu shumë i dobishëm. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona në periudhën e ardhshme”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se Türkiye mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Türkiye mbështet, mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne duam që keqkuptimet të zgjidhen nëpërmjet dialogut”, përfundoi Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk, mes të tjerash, në konferencën e përbashkët foli edhe për ngjarjet e fundit në kampin e refugjatëve Jenin në Palestinë, ku mbetën të vrarë disa palestinezë dhe shumë u lënduan.

“Ne duam që qeveria e Izraelit të ndalojë sulmet dhe provokimet e tilla (sulmet në Jenin). Shpreh ngushëllimet e mia për vëllezërit dhe motrat tona të ndjera”, tha Çavuşoğlu.

Ndryshe, ai përsëri u ndal në temën e djegies së Kuranit në Suedi, duke shtuar se Qeveria e Suedisë është bërë partnere në këtë krim (djegien e Kuranit) duke lejuar këtë akt të neveritshëm.

Së shpejti udhëtimet me letërnjoftime në Serbi dhe Türkiye

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në fjalimin e tij para mediave deklaroi se në sezonin e ardhshëm turistik qytetarët serbë do të mund të udhëtojnë drejt Türkiyes me letërnjoftime dhe anasjelltas.

Daçiq ka shpjeguar se për këtë është e nevojshme që parlamenti serb të ratifikojë amendamentin e nënshkruar të marrëveshjes për heqjen e vizave, gjë që parlamenti turk tashmë e ka bërë.

“Jam i sigurt se sezoni i ri turistik do të mund të zhvillohet në përputhje me këtë marrëveshje”, tha Daçiq.

Ai sqaroi se letërnjoftimet janë modernizuar dhe se është parandaluar çdo lloj abuzimi. Ai theksoi se turistët nga Serbia vijnë më shumë në Türkiye gjatë verës, ndërsa turqit vijnë në Serbi gjatë gjithë vitit.

Mbi djegien e Kuranit

"Nuk mund të besoj se një incident i tillë ka ndodhur në një vend që është pjesë e Perëndimit. Është një tragjedi e madhe", tha Daçiq.

Sipas tij, përveç të gjitha luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë, “nuk kam dëgjuar që dikush të ketë djegur Kuranin ose Biblën”.

“Shteti duhet të kujdeset se çfarë pasojash shkakton”, tha Daçiq, duke shtuar se një akt i tillë mund të shkaktojë vetëm pasoja negative dhe destabilizimin e botës.

TRT Balkan / agjencitë