Prej publikimit të tij në nëntor 2022, ChatGPT-ja, një chatbot i drejtuar nga inteligjenca artificiale i zhvilluar nga firma kërkimore dhe zhvillimore OpenAI, ka qenë një temë diskutimi midis gazetarëve në lidhje me ndikimin e tij të mundshëm në industrinë e lajmeve dhe të medias.
ChatGPT-ja është në gjendje të gjenerojë tekst në mënyrë automatike bazuar në kërkesat e shkruara dhe të përfshihet në interaksion me përdoruesit duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Aplikacioni në fjalë ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm, duke arritur më shumë se 100 milionë përdorues brenda dy muajve të parë.
Madhështia e chatbotit qëndron në përgjigjet e tij të hollësishme dhe njerëzore në një format bisede, duke përfshirë aftësinë për të sfiduar supozimet e pasakta dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese.
Associated Press, Reuters, The Ëashington Post, BBC dhe Neë York Times përfitojnë nga inteligjenca artificiale për të prodhuar përmbajtje, për të personalizuar ofertat e tyre dhe për të përmirësuar angazhimin e audiencës.
Media me seli në ShBA, BuzzFeed, po planifikon gjithashtu të përdorë ChatGPT-në për të përmirësuar kuizet e tyre dhe për të personalizuar përmbajtje të caktuara për audiencën e tyre.
Duke folur për Anadolun, Jonathan Soma, i cili drejton një program të gazetarisë së të dhënave në Shkollën e Gazetarisë të Universitetit Columbia, e përshkroi ChatGPT-në si një “mjet fantastik” për të prodhuar ide dhe për t’u dhënë sugjerime gazetarëve.
“Por, ashtu si çdo sugjerim, ato janë të prirura të jenë mashtruese ose të pasakta. Kjo është arsyeja pse ChatGPT-ja funksionon më mirë së bashku me gazetarët, si një mjet për të ndihmuar procesin e tyre, jo si një produkt i pavarur që bën punën e një gazetari”, tha Soma në një intervistë për Anadolu.
Ai tha se shumë organizata të lajmeve janë entuziaste për përdorimin e instrumenteve të fuqizuar nga GPT-ja për të publikuar storje, por vuri në dukje se ky është një investim me kosto më të lartë.
“Kjo mund të shihet kur CNET kohët e fundit botoi një numër të madh artikujsh të prirur ndaj gabimeve: edhe kur pretendohet se redaktorët shqyrtojnë dhe rishikojnë pjesët e krijuara nga IA, ata si duket nuk i rishqyrtojnë dot!”
“Është shumë e lehtë për rastin e biznesit të ‘rritjes së produktivitetit’ që të anashkalojë aftësinë e gazetarëve për t’u kujdesur dhe për të prodhuar punën e tyre më të mirë,” shtoi ai.
CNET, një uebsajt teknologjik me seli në ShBA, thuhet se ka publikuar përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale.
E pyetur në lidhje me rolin e ChatGPT-së për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e gazetarisë, Soma tha se mund të bëjë një punë të mirë në kontrollin e fakteve, pavarësisht nga “prirja e saj për halucinacione”.
“Mjetet e automatizuara të bazuara në GPT për analizimin e grupeve të të dhënave dhe kërkimin e grupeve të mëdha të dokumenteve po maturohen shpejt dhe mund të bëjnë shumë për të përmirësuar saktësinë e raportimit.”
“Për shembull, nëse po shkruaj për një rritje të vjedhjeve në dyqane, ai mund të kërkojë automatikisht një bazë të dhënash për të parë nëse ky është një portretizim i saktë.”
Saktësia, problemi më i madh me ChatGPT-në
Në shkurt 2023, OpenAI njoftoi planin e saj për të ofruar një shërbim abonimi të quajtur ChatGPT Plus.
Ky shërbim ofron përparësi të shumta për abonentët e tij, si përgjigje më të shpejta me qasje prioritare në përditësimet dhe përmirësimet e reja. Kushton 20 dollarë në muaj.
ChatGPT-ja ka disa kufizime, pasi mund të japë përgjigje të gabuara, jo vetëm një herë, por ndoshta disa herë.
“ChatGPT-ja ndonjëherë shkruan një përgjigje të besueshme, por të pasaktë ose të pakuptimtë,” thotë kompania.
Soma gjithashtu pajtohet se problemi më i madh me ChatGPT-në është “absolutisht saktësia”, e cila sjell disa shqetësime të mundshme etike që lidhen me përdorimin e tij në gazetari, si p.sh. çështjet e paragjykimit ose të saktësisë.
“Modelet e mëdha gjuhësore priren të ‘halucinojnë’ dhe të japin përgjigje për pyetjet që janë të pasakta, por që tingëllojnë të sakta,” tha ai.
“Dikush që mund të thotë ‘nuk e di’ është më i besueshëm se dikush që ka gjithmonë një përgjigje dhe për fat të keq është shumë e vështirë të mashtrosh ChatGPT-në të thotë ‘nuk e di’.”
I pyetur në lidhje me sfidat që gazetarët do të përballeshin në integrimin e ChatGPT-së në rrjedhën e tyre të punës, ai tha se “frika” dhe “mungesa e njohurive” ndoshta janë çështjet më të mëdha për industrinë e lajmeve.
“Mesazhet rreth ChatGPT-së janë një nga ato gjëra – janë të përsosura dhe të gjithëdijshme, ose janë një makinë e njëanshme mbeturinash.”