Shtetet e Evropës dalëngadalë kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë e pavarësisë nga gazi rus.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të martën deklaroi se Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq të ndërprerjes së plotë të furnizimit të gazit rus.
“Askush nuk e di se si do të veprojë Rusia, ky është një shtet autoritar pa debat publik. Prandaj, duhet të përgatitemi për skenarin më të keq”, deklaroi Sanchez në fjalimin e tij para Senatit ku foli për planet e ballafaqimit me krizën energjetike.
Ai theksoi se Spanja tashmë ka rritur importin e energjisë nga vende të ndryshme, duke inkurajuar prodhimin nga burime të rinovueshme si dhe duke reduktuar konsumin megjithëse ky vend varet pak nga gazi rus.
“Kjo nuk do të thotë se kriza energjetike nuk ka ndikim te ne dhe se mund të përkeqësohet duke ngadalësuar rritjen tonë ekonomike ose duke na detyruar të miratojmë më shumë masa të kursimit të energjisë”, tha Sanchez.
Ai shtoi se Spanja do të bëjë çmos për t’u ndihmuar vendeve të tjera evropiane, nëse “presidenti rus mbyll rubinetat në veri”.
Rritja drastike e gazit natyror në Evropë
Çmimi i gazit natyror për megavat-orë në Evropë herën e fundit u rrit për 25.8 për qind në 270.23 euro, treguan të dhënat më të fundit të tregut.
Çmimet e gazit u rritën pasi kompania ruse e energjisë Gazprom njoftoi se dërgesat e gazit natyror nëpërmjet gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” në Evropë janë ndalur për një kohë të pacaktuar.
Gazprom mbylli tubacionin midis 31 gushtit dhe 2 shtatorit për riparime, ndërkaq furnizimet ishin planifikuar të rifillonin pas 2 shtatorit, por kompania njoftoi se tubacioni do të mbetej i mbyllur.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, tha të hënën se dërgesat nëpërmjet gazsjellësit mund të fillojnë nëse hiqen sanksionet kundër Rusisë pasi ato pamundësojnë mirëmbajtjen e tubacionit.
7 Sht 2022
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Kryeprokurori i GjNP-së bën thirrje që të zbatohen urdhërarrestet
GjNP-ja nuk ka autoritet për të zbatuar mandatin e saj, por, teknikisht, secili nga 124 shtetet palë në Statutin e Romës duhet ta arrestojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin Galant dhe kreun e Hamasit, Mohamed Deif.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore