Qytetarët e BE-së po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të lidhur muaj me muaj, thotë raporti i fundit i Eurostat-it.
Sipas raportit të publikuar më 28 nëntor, në tremujorin e dytë të vitit 2022 vazhdon të rritet numri i njerëzve që kanë vështirësi të lidhin muaj me muaj, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Bullgaria në vështirësi të mëdha
Sipas këtij raporti, 39.8% e bullgarëve kanë vështirësi të mëdha, ose me vështirësi lidhin muaj me muaj, duke e ngjitur Bullgarinë në krye të kësaj liste negative. Në fakt, vetëm 3.6% e bullgarëve e kalojnë muajin me lehtësi.
Pas Bullgarisë, shtetet me përqindjen më të lartë të popullsisë me probleme për të tejkaluar muajin janë Sllovakia, Italia dhe Franca.
Kriza më e vogël në Finlandë dhe Irlandë
Nga 11 vendet anëtare ku është kryer ky hulumtim, në Finlandë vërehet numri më i vogël i popullsisë me vështirësi për të lidhur muajt. Vetëm 11% e qytetarëve të Finlandës ballafaqohen me vështirësi të tilla, ndërsa 40.5% e popullsisë së këtij shteti nuk ka aspak vështirësi për kalimin e muajit.
Madje, Finlanda, bashkë me Slloveninë, janë dy vendet e vetme ku po bie përqindja e popullsisë që kanë probleme për tejkalimin e muajit, ndërsa në të gjitha vendet e tjera ky numër po rritet.
Pas Finlandës, në listën e vendeve me më pak krizë për kalimin e muajit vijnë Irlanda, Austria dhe Belgjika.
Rritja e çmimeve po ndikon për thellimin e krizës
Hulumtimi i Eurostat-it është në kuadër të grumbullimit të të dhënave për ndikimin e Covid-19 mbi kushtet e jetës të qytetarëve të BE-së. Eurostat-i konstaston se të dhënat e këtij raporti “e reflektojnë rritjen e çmimeve që nga fillimi i vitit 2022”.
Kriza energjetike dhe ushqimore bashkë me luftën në Ukrainë kanë ndikuar në shtrenjtime të mëdha sidomos në Evropë gjatë këtij viti. Inflacioni ka arritur shifra rekorde në vendet e BE-së, të paregjistruara ndër dekada.