Cikloni “Ilsa” me shpejtësi 250 km në orë pritet ta godasë Australinë.     /Foto: AA

Popullata ka zbrazur raftet në markete për shkak të ciklonit tropikal IIsa i cili pritet të prekë pjesën perëndimore të Australisë dhe që mund të arrijë shpejtësi deri në 250 km në orë.

Sipas lajmeve në shtypin lokal, në një deklaratë nga Shërbimi Meteorologjik i Australisë (BOM) njoftohet se cikloni tropikal IIsa do të rrisë fuqinë e tij në ditët e ardhshme në shtetin e Australisë Perëndimore dhe se është e lartë mundësia që të shndërrohet në kategorinë e katërt.

Në komunikatë thuhet se në rajonin Kimberley, pjesën më veriore të shtetit, pritet rrebesh i fuqishëm me bubullima dhe se shpejtësia e ciklonit mund të arrijë në 250 km në orë.

Meteorologia Jessica Lingard i ka përngjasuar ciklonet me një "bishë të paqëndrueshme brenda vetes", duke vënë në dukje se zhvillimet duhet të ndiqen nga afër.

Para ciklonit tropikal IIsa që pritet të prekë dhjetëra mijëra familje, në shtetin e Australisë Perëndimore u dha paralajmërim për "stuhi", ndërsa popullata zbrazi raftet në markete.

Cikloni tropikal Seroja, i cili vendosi Australinë nën ndikimin e tij në vitin 2021, shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike për më shumë se 31 mijë familje. Për shkak të ciklonit u dëmtuan 70 për qind të ndërtesave në zonën turistike Kalbarri.

Shërbimi Meteorologjik i Australisë njoftoi se Seroja ishte "cikloni më i fuqishëm i vërejtur prej të paktën 50 vitesh" në zonën Kalbarri dhe përreth tij.

TRT Balkan / agjencitë