Dallimi midis Bajramit të Fitrit dhe Bajramit të Kurbanit.     /Foto: TRT Balkan

Festat e dy bajrameve te komuniteti mysliman në mbarë botën paraqesin ditët më të dalluara të vitit. Të dyja festat festohen në mënyrë të ngjashme, por përkujtojnë ngjarje të ndryshme në Islam.

Në vazhdim ju paraqesim disa nga faktet që i dallojnë këto dy festa të mëdha tek myslimanët.

BAJRAMI I FITRIT: FESTIVALI I NDËRPRERJES SË AGJËRIMIT

Për çdo vit në fund të muajit Ramazan, në ditën e parë të muajit Sheval – muajit të 10-të kalendarit islamik bota islame e feston ditën e Bajramit të Fitrit. Gëzimi i kësaj ditë shënon edhe fundin e muajit të agjërimit.

Karakteristikë e kësaj feste është bamirësia e detyrueshme e cila duhet të jepet para kryerjes së lutjes së Bajramit të Fitrit. Në mesin e myslimanëve kjo bamirësi njihet si “zekati i fitrit”, që nënkupton ndarjen e një shumë të caktuar të pasurisë për të shlyer të metat dhe lëshimet e bëra gjatë agjërimit.

Fjala “el-fitr” nënkupton fillim i ri ose natyrshmëri. Besimtarët, pra, duke filluar nga kjo ditë, i kthehen përditshmërisë së tyre, kjo për faktin se tanimë kanë pasur mundësinë të dëlirësohen përgjatë muajit ramazan.

Festa e Fitrit në nënqiellin shqiptar quhet edhe Bajrami i Madh dhe Bajrami i Ramazanit. Arsyeja e këtij emërtimit të dytë bazohet në faktin se kjo festë ndodh menjëherë pas ramazanit.

BAJRAMI I KURBANIT OSE FESTA E SAKRIFICËS

Dy muaj e disa ditë pas Bajramit të Fitrit, në ditën e 10-të muajit Dhul-Hixhe, muajit të dymbëdhjetë të kalendarit islam myslimanët fillojnë të festojnë Bajramin e Kurbanit.

Festimi katërditor përkujton gatishmërinë e Profetit Ibraham për të sakrifikuar djalin e tij Ismailin për Zotin pasi u urdhërua ta bënte këtë në ëndërr, siç rrëfehet në Kuran.

Myslimanët e nderojnë sprovën e Profetit duke bërë kurban një kafshë - zakonisht një dele, dash, ose lopë (deve) varësisht prej vendit - dhe duke dhuruar një pjesë për nevojtarët.

Festa përkon edhe me shtyllën e pestë të Islamit: Haxhin.

TRT Balkan