Pas djegies së një kopjeje të librit të shenjtë mysliman, Kuranit, jashtë ambasadës turke nga politikani ekstremist suedez-danez Rasmus Paludan në kryeqytetin suedez Stokholm të shtunën, diskutimet mbi krimet e urrejtjes në vend kanë dalë sërish në pah.
Një raport i publikuar nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Krimit, i cili është i lidhur me Ministrinë Suedeze të Drejtësisë, në vitin 2021 zbuloi rezultate rreth racizmit dhe krimeve të urrejtjes kundër grupeve fetare në vend.
Në një nivel të përgjithshëm, krimet ksenofobike dhe raciste të urrejtjes me 55% ishin më të zakonshmet në mesin e krimeve të raportuara të urrejtjes, të ndjekura nga krimet e urrejtjes kundër grupeve fetare me 17%, me myslimanët të synuar më së shumti, të ndjekur nga hebrenjtë dhe të krishterët, respektivisht.
Nga të gjitha krimet e urrejtjes kundër grupeve fetare, 51% ishin islamofobike, 27% antisemitë dhe 11% antikristiane.
Krimet islamofobike të urrejtjes – ndër të paktat krime ku gratë viktimizoheshin më shpesh se burrat – kryesisht përfshinin ngacmime, agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar dhe kërcënime të paligjshme.
Ndërkohë, krimet e urrejtjes kundër të krishterëve kryheshin kryesisht nëpërmjet kërcënimeve të paligjshme dhe viktimat ishin shpesh meshkuj.
Për sa u përket krimeve antisemite, mediet sociale shquhen si vendi kryesor ku kryhen krimet e urrejtjes kundër hebrenjve.
Krimet e urrejtjes antisemite konsistonin kryesisht në agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar në mediat sociale dhe në publik, dhe shumica e këtyre rasteve kishin të bënin me mesazhe të përgjithshme antisemite që nuk i drejtoheshin një personi specifik.
Sipas raportit, 16% e krimeve të urrejtjes antisemite në vitin 2020 janë kryer përmes medieve sociale, 15% në hapësira publike dhe 14% nëpërmjet SMS-ve ose telefonit.
Në krimet e urrejtjes kundër myslimanëve dhe hebrenjve, gratë u bënë më shumë objektiva se burrat, ndërsa tek të krishterët, kryesisht, burrat ishin objektivat kryesorë.
Gjithashtu, Raporti i Lirisë Fetare 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke cituar shifrat në raportin e Suedisë për krimet e urrejtjes kundër myslimanëve, tha se shumë krime të urrejtjes nuk u raportuan në polici për arsye të ndryshme.