Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani mbërriti në Damask të enjten, duke shënuar vizitën e parë të një kreu shteti në kryeqytetin sirian që nga përmbysja e regjimit të Bashar al-Assad.
Sheikh Tamim u mirëprit nga presidenti i përkohshëm i Sirisë Ahmed al-Sharaa pas mbërritjes së tij në aeroportin e Damaskut, sipas një deklarate nga Emiri Diwan i Katarit.
Kjo është vizita e parë e emirit të Katarit në Siri në më shumë se 14 vjet, e gjithashtu vizita e parë e një udhëheqësi arab që nga përmbysja e Asadit në dhjetor.
"Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me kauzën e drejtë siriane dhe mbështesim deklaratën që shënon fundin e fazës revolucionare dhe tranzicionin në shtetndërtimin", tha Mohammed Al-Khulaifi, Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme i Katarit, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian, Asaad al-Shaibani.
Al-Khulaifi theksoi se vizita e emirit në Siri është në përputhje me bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.
“Katari do të vazhdojë t’i mbështesë vëllezërit e tij sirianë në të gjitha fushat”, theksoi kreu i diplomacisë së Katarit.
Sipas Al-Khulaifi, bisedimet mes emirit të Katarit dhe presidentit të përkohshëm sirian janë mbajtur për çështje të ndryshme.
Al-Shaibani, nga ana e tij, përshëndeti vizitën e sundimtarit të Katarit në Siri, duke theksuar se vendi i tij dëshiron të "forcojë marrëdhëniet tona vëllazërore dhe lidhjet historike".
Katari "ka qenë një aleat i vendosur i popullit tonë për 14 vitet e fundit", shtoi Al-Shaibani.
“Rindërtimi i Sirisë ka të bëjë me rivendosjen e shpresës dhe formësimin e së ardhmes”, theksoi ai.
Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor të vitit të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.